Ishin izoluar nga uji, policia evakuon 2 familje në Shkodër (VIDEO)

Shkodër/Policia evakuon 2 familje që ishin izoluar nga uji, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq.

Grupi i evakuim-shpëtimit dhe grupi alpin i FNSH Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në lagjen Ajasem, në Shkodër, dy familje ishin zoluar nga uji dhe se njëri prej pjesëtarëve të familjeve ishte i sëmurë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore, janë nisur menjëherë në drejtim të tyre, së bashku me mjetet lundruese që FNSH ka në dispozicion për rastet e evakuim-shpëtimit.

Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur evakuimin e pjesëtarëve të të dyja familjeve, si dhe dërgimin në spital, të njërit prej tyre, i cili pas ndihmës mjekësore u dërgua në banesën e të afërmve të tij.

Nisur nga situata e krijuar, të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë kaluar në shërbim të përforcuar dhe janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndhmë banorëve, në rast nevoje.