Kulla me 58 kate në qendër të Tiranës, Tabaku: Simbol i arrogancës që po shkatërron qytetin

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me kullën që do të ndërtohet në Tiranë, në parkun pas Teatrit të Operas.

Tabaku thotë në një postim në “Facebook” se projekti në fjalë është symbol i arrogancës dhe moskujdesjes për trashëgiminë historike që po shkatërron qytetin.

Teksa më tej vlerëson rolin e SPAK në luftën ndaj korrupsionit, Tabaku thotë se një politik ndryshe duhet për ta shpëtuar Shqipërinë.

Reagimi i plotë:

Në vitet 1990-2011, gropa e Hajdin Sejdisë ishte simboli i kapitalizmit alla Shqiptar – ndotja e qendrës së Tiranës, një shëmbull i rëndomtë i paditurisë politike.

Edhe pse gropa u mbulua në 2011, për të qenë lulishte dhe jo moçali qytetit, 12 vite më vonë e njëjta politikë e riktheu në shëmbëlltyrën e politikës korruptive që ka shkatërruar jetët e shqiptarëve në 3 dekada.

Gjatë kësaj kohe, oligarkët politikë dhe ekonomikë u pasuruan duke shkatërruar qytetin, ndërsa shumë prej tyre përdoren të njëjtat sjellje korrupsioni për të ndërtuar pasurinë e tyre.

Projekti i kullës në qendër të Tiranës është simbol i qartë i arrogancës dhe moskujdesjes për trashëgiminë historike, duke shkatërruar nga ana urbanistike dhe funksionale qytetin.

Njëri ndër faktorët që shkaktoi këtë situatë është mungesa e sundimit të ligjit dhe pandëshkueshmëria – një këndvështrim që po ndryshon me angazhimin e SPAK.

SPAK është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në ndalimin e korrupsionit dhe shpërbërjen e oligarkisë politike dhe ekonomike. Ku është zhytyr sot ekonomia, politika, media e çdo sektor mund realisht të ndryshojë veç me luftë pa kompromis ndaj korrupsionit e me mbështetje ndaj SPAK.

Sot shqiptarët e kuptojnë se kush e lufton korrupsionin e kush bën gjasme, kush flet sa për të kaluar rradhën e kush denoncon prej parimeve, kujt i është prekur interesi e kush është trimëruar nga halli.

Politika, përpos SPAK, është shansi për të nxjerrë nga moçali politik Shqipërinë – të hapim rrugën për një poltikë ndryshe, si mjet real ndryshimi, me fakte e argumenta me zgjidhje që me të vërtetë besojnë dhe punojnë se mund t’i bëjë gjërat ndryshe.


Shtuar 8.08.2023 09:54