10 milion lekë gjobë, reagon ashpër ndaj Ramës Sonila Meço

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ia ka vënë emisonit të drejtuar nga gazetarja Sonila Meço gjobë për shkak se ka pasur dy të ftuar në studio, që bie në kundërshtim me rregullat e vendosura nga ana e qeverisë.

Ka qenë vetë moderatorja që ka treguar këtë fakt me një postim në rrjetin scoial Facebook, ndërsa Meço sjell dhe shembuj në studio të mediave botërore, ku lejohet më shumë se një person, përveç drejtuesit të emisionit.

“Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra ndaj programeve televizive, se nga dy kishin tre veta në studio. Por nga ana tjetër qeveria marsh të lartë legalizimit të kanabisit, amnistisë fiskale dhe shembjes së Teatrit Kombëtar, duke shkelur ligje, rregulla, kushtetutë e parime. Për mua personalisht asgjë e re, prej vitesh provova mbylljen e transmetimit live, me një ulje leve. Qëndrimin tre vjet larg medias, profesionit tim”, shkruan gazetarja.

REAGIMI I PLOTË:

Dakord! Gjobë se jemi tre persona në studio dhe jo dy, sipas rregullores së qeverisë. Qeveri që ka shtyrë gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore deri në datë 23 qershor, mbi 30 ditë në mënyrë antikushtetuese. Unë kam shkelur rregullin me një njeri për tre orë, qeveria me të gjithë shqiptarët për 30 ditë.

Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra, për të mbushur arkën e një shteti, që mbylli arbitrarisht 5 vjet më parë edhe një televizion, duke hedhur 500 punonjës në rrugë, që u dënua me qindra miliona euro nga gjykatat ndërkombëtare për shpronësimin anti ligjor dhe refuzon të paguajë në mënyrë antiligjore.

Gjobë pa paralajmërim, megjithëse me kolegë të televizioneve të tjera auroritetet vepruan kësisoj më herët. Pra shkeli qeveria rregullin në rastin e parë duke mos vendosur gjobë, por thjesht paralajmërim? Apo në të dytin duke vendosur gjobë pa paralajmërim?

Gjobë, ndërsa bëjmë detyrën për të informuar publikun edhe mbi masat jo ligjore dhe antikushtetuese të autoriteteve. P.sh a ka mundësi të na shpjegojë qeveria mbi çfarë argumentimi shkencor ka vendosur të ketë vetëm dy persona në studio televizive? Megjithëse në respektim të distancave dhe masave mbrojtëse? Kur në institucione brenda një zyre shumë herë më të vogël gjenden më shumë se dy persona? Në parukeri, fasoneri, dyqane e qendra tregtare?

Gjobë se nga dy ishim tre në studio ndërsa dëshmonim vendimet jo ligjore për shembje zonash muzeale në Krujë, ndërsa prokurori i antimafias italiane Gratteri dëshmonte se çereku i Shqipërisë rezulton i mbjellë me kanabis, teksa shqiptarët me zë e figurë dëshmonin mosmarrjen e pagës së luftës nga marsi e kur nënat na tregonin sesi privuar varfërie as bukë e arsim nuk i garantojnë dot fëmijëve. Dakord! Rregulli mbi faktet, dëshmitë dhe emocionet. E sidomos mbi interesin publik.

Po çfarë logjike shkencore kanë respektuar qeveritë në Itali e Gjermani kur Piazza Pulita, Di Martedi e ZDF lejohen të mbajnë mbi 4 veta në studio? Madje me distanca më të vogla se tonat? Italia, vendi i pasojave tragjike të covid-19. Çfarë dinë shkencëtarët tanë për situatën në vend, që nuk na e thonë?

Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra ndaj programeve televizive, se nga dy kishin tre veta në studio. Por nga ana tjetër qeveria marsh të lartë legalizimit të kanabisit, amnistisë fiskale dhe shembjes së Teatrit Kombëtar, duke shkelur ligje, rregulla, kushtetutë e parime.

Për mua personalisht asgjë e re, prej vitesh provova mbylljen e transmetimit live, me një ulje leve. Qëndrimin tre vjet larg medias, profesionit tim. Sulmin publik nga autoritete zyrtare. Vendosjen në hartën europianë të kërcënimit si gazetare nga https://mappingmediafreedom.ushahidi.io/posts/23252.

Po për demokracinë, lirinë e shtypit, të drejtat e njeriut çfarë duhet të ndodhë më? Po sjell një citim të vyer të Ambasadores së SHBA-së në vend Yuri Kim, postim i 24 orëve më parë:

“”Liria e medias është thelbësore për demokracinë. Reporterët duhet të bëjnë pyetje të vërteta, udhëheqësit duhet të japin përgjigje të vërteta. Kam respekt për Ilva Taren dhe gazetarët e tjerë shqiptarë të cilët bëjnë pyetje të vështira, kërkojnë faktet dhe fuqizojnë njerëzit që të kenë mendimin e tyre”. Në foto: Vendimi për gjobitjen e RTV Ora dhe programit Tempora.


Shtuar 15.05.2020 12:11