Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme pa qeveri teknike! Presidenti i përgjigjet

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka kërkuar që në vend të ketë sa më parë zgjedhje të parakohshme.

Mickoski e ka quajtur artificiale shumicën aktuale, që sipas tij, është qeveri e BDI-së që administrohet nga Kovaçevski. Mickocki u shpreh se kryeministri i ri ka frikë të japë përgjigje konkrete se kur do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Jemi të gatshëm dhe deri tek Parlamenti do të dorëzojmë ndryshime të Kodit zgjedhor, në të cilat nuk do të ketë më qeveri teknike, gjegjësisht 100 ditë humbje kohe të qytetarëve dhe Maqedonisë, por do ta shfrytëzojmë atë afat kushtetues prej 45 deri në 60 ditë. Nëse janë të frikësuar, le të mbetet Spasovski ministër i Punëve të Brendshme, le të mbetet ministri i ri i Punës dhe Politikës Sociale… Nuk do të ketë nga opozita zëvendës në bujqësi, financa, shoqëri informative, le të mbetet kjo qeveri siç është dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Mickoski.

I reagoi LSDM-ja, duke i kërkuar që të ndalojë me obstruksione, sepse siç thonë, zgjedhje nuk do të ketë.

“Edhe gjatë festave Hristijan Mickoski tregon destruktivitetin e tij. Mickoskit i interesojnë vetëm zgjedhjet dhe si të fitojë pushtetin, por kundër kësaj janë edhe qytetarët edhe gjithë opinioni. Zgjedhje nuk do të ketë, është rritur shumica parlamentare, është zgjedhur Qeveria e re, Mickoski të ndalojë pengimin dhe ngacmimin e opinionit me dëshirat e tij personale”, thanë nga LSDM.

E mbrëmë Presidenti Stevo Pendarovski, duke folur për zgjedhje të parakohshme, u shpreh se vetëm VMRO-DPMNE dhe BDI mund të mbledhin 61 vota për ta shpërbërë parlamentin dhe të shkuar në zgjedhje të parakohshme, gjersa shtoi se partitë e tjera “nuk janë në kondicion politik” për të shkuar në zgjedhje.

“Cila do të ishte për shembull interesi i BDI-së që të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Mund të thonë, duam të kemi rezultat më të mirë se sa i mëparshmi, por të gjithë ne themi se është shumë domethënëse jo vetëm që të kemi më shumë deputetë, po të fillojmë bisedimet me BE-në. A është BDI e sigurt se me VMRO-DPMNE-në do të jetë më i lehtë procesi i bisedimeve me Bullgarinë? Ose nëse është arritur marrëveshje, se zbatimi i të njëjtit, sido që të jetë, do të jetë ashtu i lehtë, duke i pasur parasysh ato qëndrime të disa subjekteve politike”, deklaroi Pendarovski.

Të pyetur në vazhdimësi rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si nga LSDM po ashtu edhe nga partneri i Qeverisë BDI, kanë deklaruar se nuk është kohë për të shkuar në zgjedhje por për t’u përballur me sfidat energjetike dhe shëndetësore para të cilave ndodhet vendit./albeu.com/