BE premton 18 miliardë euro për Ukrainën vitin e ardhshëm

Bashkimi Evropian është zotuar t’i japë Ukrainës 18 miliardë euro vitin e ardhshëm për të mbajtur vendin në funksion ndërsa lufton kundër trupave ruse.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri njoftimin pas takimit të 27 liderëve të bllokut në Bruksel.

Ajo tha se BE deri më tani ka dhënë 19 miliardë euro, duke shtuar: “Është shumë e rëndësishme që Ukraina të ketë një fluks të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm të të ardhurave.”

Vlerësohet se Ukrainës i duhen rreth 3-4 miliardë euro në muaj “për bazat” dhe BE-ja do të financojë 1.5 miliardë euro nga kjo, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga vende të tjera dhe institucione ndërkombëtare.

“Kjo do të japë një total prej 18 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm, një shumë ku Ukraina mund të llogarisë dhe ku ka një rrjedhë të qëndrueshme dhe të besueshme, të parashikueshme të të ardhurave,” tha ajo.

Blloku është i ndarë për forcimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Rusisë dhe Iranit lidhur me pretendimet se Rusia po përdor dronët e prodhuar nga Irani në luftën e saj.

Polonia dhe tre shtetet baltike sugjeruan ndalimin e importeve ruse të diamanteve dhe heqjen graduale të tregtisë së çelikut më shpejt, por Belgjika dhe Italia janë mes atyre që kundërshtojnë.

Hungaria është kundër çdo sanksioni ndaj Rusisë, ndërsa Gjermania dhe Franca kanë thënë se masat aktuale tashmë shkojnë larg./albeu.com


Shtuar 21.10.2022 16:59

Tags: ,