Prej dy vitesh në Shqipëri, afganët e Shëngjinit ndihen të lënë “pas dore”, ende në pritje për të ikur

Afganët e strehuar në Shëngin janë ende në pritje për të ikur. Që prej gushtit të vitit 2021 rreth 2400 afganë lanë vendin e tyre dhe u strehuan në Shqipëri në pritje për tu larguar drejt Amerikës.

Ndonëse disa prej tyre kanë arritur të shkojnë në SHBA, një pjesë e konsiderueshme “kanë ngecur” në Shëngjin , ata janë në pritje për tu bashkuar me familjarët e tyre. Associated Press i ka dedikuar një artikull afganëve që ndodhen ende në Shqipëri, duke sjellë në pah rastin e fotoreporterit 35-vjeçar, i cili pret me ankth çdo ditë lajmin e mirë për vizën e premtuar për të shkuar në SHBA.

Vitin e kaluar, një grup i vogël afganësh në Shëngjin organizuan një protestë, duke i bërë thirrje Uashingtonit të përshpejtojë procesin e transferimit të tyre. Disa gra dhe fëmijë mbanin postera ku shkruhej: “Jemi të harruar”.

Talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, ndërsa trupat e SHBA-së dhe NATO-s ishin në javët e fundit të tërheqjes së tyre nga vendi pas dy dekadash lufte dhe ndërsa qeveria dhe ushtria afgane e mbështetur nga SHBA-ja u shkatërrua.

Pavarësisht premtimeve fillestare për një rregull më të moderuar, ata shpejt filluan të zbatojnë kufizime për gratë dhe vajzat, duke i ndaluar ato nga hapësirat publike dhe shumica e vendeve të punës, dhe duke ndaluar arsimimin për vajzat përtej klasës së gjashtë./albeu.com/