Dashnor Sula: Zero investime në Peqin, duhet të ikim me traktor në spital

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit ka thënë se për rrugën Qukës Qafë Plloçë para një muaji janë miratuar rreth 40 milionë euro, teksa është përfunduar 99.4% e punimeve të kësaj rruge.

Sula më tej akuzoi qeverinë duke thënë se rruga Kardhiq është bërë me dyfishin e fondit, ndërsa përmendi rrugën e Elbasanit si një projekt që u nis me 312 milionë dollarë dhe u përfundua me 450 milionë.

“Janë dhënë 35 milionë dollarë për skarpatin e malit të Ibrës. Zërat e këqija thonë që hiqej mali dhe dilje matanë me aq para. Megjithatë zonja zëvendëskryeministre, unë po ju drejtohem për zonën e Peqinit, aty ka zero investime për një metër asfalt në këto 10 vitet e fundit, aty nuk mbushen dot gropat. Në mes të qytetit të Peqinit vendosen tulla, duhet të kalosh me traktor që të shkosh në spitalin e Peqinit. Rruga Peqin-Belsh rrezikon jetët e qytetarëve në gjendjen si është. Me vërtetë regjimi i Enver Hoxhës ka bërë krime, ka vrarë e dhunuar, por Enveri nga 800 mijë që ishim na çoi mbi 4 milionë, ne sot po ikim mbrapsht, si do rregullohet kjo shoqëri, të rinjtë nuk kthehen më këtu nëse bëjnë studimet jashtë”, tha ai.


Shtuar 21.12.2022 20:38