Qeveria e Serbisë i drejtohet me letër KFOR’it për kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se Qeveria e Serbisë do të marrë vendim të enjten për t’i dërguar kërkesë KFOR-it për të siguruar praninë e forcave serbe në veri të Kosovës.

“Seanca e qeverisë është të enjten dhe siç janë gjërat, qeveria do të marrë vendim për dërgimin e një letre komandantit të KFOR-it”, tha Vuçiq në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve pas bisedës me Srgjan Petroviq, pronar i një kantine nga Hoça e Madhe, i cili shkoi në takim me presidentin pas aksionit të Doganës së Kosovës e cila konfiskoi alkool pa dokumentacion.

Vuçiq shtoi se seanca e Qeverisë do të mbahet të enjten pasdite dhe se KFOR-i më pas do ta marrë kërkesën.

Këtë “rikthim” autoritetet serbe e kanë kërkuar për shkak të rritjes së pranisë së Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të bandave në veri mbi zyrtarët e ruajtjes së rendit.

Për këto sulme, Policia e Kosovës e ka arrestuar njërin nga autorët, ish-polic i komunitet serb në Kosovë, Dejan Pantiç, arrestim ky që pasoi me barrikadimin e një rruge në pjesën veriore të Kosovës./Express