Hysaj: Nations League mundësi e mirë, uroj të kem rast për gol ndaj Islandës

Elseid Hysaj ishte një nga lojtarët që doli në konferencë për mediat në prag të ndeshjes së Shqipërisë kundër Islandës në Nations League. Mbrojtësi i Lazios fillimisht deklaroi:

“Ne e kemi për të detyrë të jemi gati gjithmonë kur na thërret Kombëtarja. Kam ardhur me shumë qejf. Jemi në fund të sezonit, por kemi një mundësi të mirë për të ecur para me Kombëtaren. Unë jam 100% gati”, tha fillimisht Hysaj.

“Izraeli dhe Islanda? U bë kohë që s’jemi takuar më këto ekipe, por në ndeshjen e fundit me Islandën kemi treguar që jemi më të rrezikshëm. Dje pamë kundërshtarët dhe po përgatitemi për këto ndeshje. Kemi bërë mirë ndaj Spanjës dhe besoj se jemi gati për këto ndeshje”.

“Vendi i parë? Jemi tri skuadra të forta. E shohim si një mundësi të mirë, pasi Rusia që mungon është një skuadër shumë e mirë. Tani kemi më shumë mundësi për të shkuar në play-off. Duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mundësi dhe e shohim si një dritare më shumë”.

“Ndeshja e parë? Ne, të gjithë, në këtë moment, kemi ardhur në formë 100% dhe kemi shumë dëshirë. Besoj se jemi gati dhe duhet të shkojmë atje e të shohim si do të shkojë ndeshja.

Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin. Uroj që në këto ndeshje të kem rast për të shënuar një gol tjetër”. /h.ll/albeu.com