Sot, 6 vite pa Anita Taken, ky ishte pengu i vetëm i artistes së madhe (FOTO LAJM)

Si sot 6 vte më parë u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare artistja e mirënjohur, këngëtarja Anita Take.

Këngëtarja u ngjit në skenë para 50-vjetësh, por vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën e saj artistike. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Këngëtarja e madhe me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.

Në një intervistë të realizuar vite më parë këngëtarja Anita Take, ka rrëfyer jetën e saj, por edhe pengun e vetëm!

“Edhe pse nuk jam shkëputur asnjë moment nga skena, e them me bindje se dëshira për tu ngjitur në skenë nuk më ka munguar dhe as do të më mungojë ndonjëherë. Por, mundësia financiare është ajo që na ka penguar për të realizuar qoftë dhe njëherë ndonjë dalje para publikut. Kudo që unë shkoj më përpara këndoj se sa flas, nuk mundem unë të flas nëse nuk këndoj. Pengun e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruara, pasi s’ka pasur televizor”, është shprehur Take. Megjithatë, Anita Take do të kujtohet me nostalgji si një ndër këngëtaret më të dashura nga të gjithë brezat.

E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.

Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Pengu i vetëm për të, ishte se nuk arriti të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira. Ndër çastet më të bukura të jetës së saj, ajo veçon ditën kur u bë për herë të parë nënë, si dhe çastin kur bashkëshorti i saj, Agim Prodani i tha: “Të dua”.