“Jeta ime është në rrezik”, u kap në shtëpi bari në Angli, habit shqiptari: Kam borxhe në Shqipëri

Një shtetas me origjinë shqiptare është kapur në një shtëpi bari në Angli. Mediet britanikë bëjnë me dije se i arrestuari është Arnold Hazizi, 30 vjeç.

Hazizi u kap duke u kujdesur për bimët e kanabisit në një shtëpi bari në rrugën Windsor, Rhyl. Vlera e kanabisit për të cilën po kujdesej shqiptari kap vlerën prej 848 mijë paund, shkruajnë mediet vendase.

30-vjeçari pranoi veprën penale para drejtësisë britanike, ndërsa mësohet se është dënuar me 22 muaj burgim. Në gjykatë Hazizi deklaroi se në Shqipëri kishte punuar në fermën e tij familjare por për shkak të borxheve ishte detyruar të shkonte ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Ai pretendoi se qëndroi fillimisht te një mik i tij i quajtur Miri në Mançester dhe punoi për të.

“Jam i zhytur në borxhe në Shqipëri”, mësohet të ketë deklaruar 30-vjeçari shqiptar.

Gjithashtu nga të dhënat në telefonin e tij, policia ka zbuluar se ai kishte qenë në kontakt me një burrë të quajtur Nino për t’u kujdesur për bimët dhe madje e mësonte Ninon se si të kujdesej për bimët e tij të kanabisit. Mes tyre kishte 1000 mesazhe.

Nga të gjitha provat e gjetura rezultonte se Hazizi e kryente aktivitetin e paligjshëm për më shumë se 7 muaj para se të arrestohej.

Avokati i shqiptarit Simon Killeen tha se klienti i tij rrezikohet në Shqipëri sepse ka shumë borxhe. “Ai ka një grua, një fëmijë dhe prindërit atje. Erdhi në Angli në Janar të 2022-it. Rrezikohet në Shqipëri”, ka thënë Killeen.

Sa i përket çështjes së dëbimit, gjykatësi është shprehur se ky vendim u përket autoriteteve të tjera, por sipas tij, duhet që i pandehuri të dëbohet në momentin e lirimit nga burgu./Albeu.com/