I iku policisë nga sytë pak ditë më parë, kapet shqiptari që ishte shpallur në kërkim

Eshtë vënë në panga në orët e para të mëngjesit të sotëm një shqiptar A. B., 36 vjeç i cili kishte mundur të shpëtonte gjatë operacionit ndërkombëtar të antidrogës Itali-Shqipëri i koduar si “Kulmi”.

Gjatë operacionit ”Kulmi”, i ekzekutuar më 30 qershor 2020, u arrestuan 37 persona shqiptarë e italianë në një operacion të përbashkët mes dy vendeve.

Shqiptari A.B i akuzuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike kishte mundur të largohej nga banesa e tij në komunën Policoro në provincën e Materas e të fshihej në një rifuxho përgjatë argjinaturës së lumit Agri ndihmuar edhe nga bimësia e dendur.

Gjatë operacionit të mëngjesit të sotëm janë vënë nën masë ndalimi me urdhër arrestimi shtëpiak dhe 2 shqiptarë të tjerë me incialet S.S 30 vjeç e S.D 23 vjeç, të akuzuar për favorizim personal pasi kishin ndihmuar shqiptarin e shpallur në kërkim A.B të fshihej duke e ndihmuar me ushqim e mjete financiare.

Shqiptari A.B 36 vjeç është nën dispozicion të Autoriteteve Gjyqësore Italiane në burgun e Materas, ndërsa 2 shqiptarët e tjerë janë nën urdhër arresti shtëpiak.

Operacioni Kulmi, i 30 qershorit 2020, shkatërroi një grup të strukturuar kriminal ndërkombëtar italo-shqiptarë, operacion i cili u mbështet edhe nga Interpol e Eurojust.


Shtuar 4.07.2020 06:51