“Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë”, Meta në Shkodër: Më 14 maj nis llogaridhënia

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim me strukturat në Shkodër, ku pjesë e takimit ka qenë edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Bardh Spahia.

Meta u shpreh se frymëzimi për fitoren e 14 majit, është qëndrimi i Shkodrës më 6 maj.

“Bashkë fitojmë në mënyrën më spektakolare në të gjithë Shqipërinë, frymëzimi i fitores është Shkodra e 6 marsit që e vetme e rrethuar nga të gjitha anët nuk u dorëzua por qëndroi në krah të lirisë demokracisë e interesit kombëtar. Në 14 maj e gjithë Shqipëria do të bëhet Shkodër.

Shkodranët do ta dënojnë në mënyrën më plebishitare se Rilindja ka bërë gjithçka për të zhbërë Shkodrën si një nga qendrat më të mëdha të vendit tonë.

Kam një pyetje për të gjithë ju, mund ta përfytyronte dikush që Shkodra të mos ketë sot Drejtori Arsimi? Kush mund t’ia bënte Shkodrës këtë gjë?

Këtë e bëri Rama dhe Rilindja e tij. Shkodra që është ujëmbledhësi më i madh në Ballkan të mos ketë as Agjenci ujërash as Bordin e Kullimit. Këtë e bëri vetëm Rilindja e Ramës.

Shkodra kryeqendër të mos ketë Drejtori Arkivi, Gjykatë Apeli, Gjykatë Administrative, veprime të marra për të ulura peshën administrative, politike të Shkodrës.

Shkodrën e ruajti Zoti më 6 mars dhe në 2019 se për besimin Shkodra ka sakrifikuar shumë. Do të kishte falimentuar edhe bashkia e Shkodrës nëse do të ishte në duart e tyre, siç falimentoi Kavaja, Vora.

Jepni mesazhin tuaj duke votuar kundër monizmit më 14 maj. Rinia e Shkodrës nuk ka çmim, e ka vendin këtu, jo jashtë vendit.

Jam i bindur se pas 14 majit nis epoka e llogaridhënies. Dhe ne marrim mësimin se një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë”, tha Meta.