Luajti me këpucët e tij fatsjellëse të grisura në finalen e Champions, Toni Kroos i nxjerr në ankand

Ylli i Real Madridit, Toni Kroos, ka nxjerrë në ankand këpucët e grisura që ka veshur të shtunën e kaluar, gjatë finales së Ligës së Kampionëve. Mesfushori gjerman ishte me fat që mundi të luante ende me këpucët e tij të preferuara të shtunën, sepse “Adidas” bardheblu tani pritet të zëvendësohen. Të ardhurat do të shkojnë për fondacionin e tij, me të cilin Kroos mbështet familjet me fëmijë të sëmurë rëndë.

Në fakt, ai paguhet me miliona euro në vit, por ka disa vite që i mirëmban si sytë e ballit këto këpucë sportive. Madje, i lan e pastron me duart e veta para dhe pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje. Kjo dëshmon qartë se i konsideron si “hajmali”, ndoshta i sjellin fat. Gjermani i përdor ato që nga fillimi i sezonit 2013-2014.

Në një intervistë me GOAL vitin e kaluar, 32-vjeçari u shpreh kështu për këpucët e tij, që nuk i ndërron me modele të reja: “Këpucët e mia? E vërteta është se janë pak të veçanta. Nuk kam parë një lojtar tjetër te Real Madridi që i pastron çdo ditë këpucët dhe i mirëmban kështu. Këpucët janë gjëja më e rëndësishme për mua në fushë, më shumë se për lojtarët e tjerë”.

Në finalen e Champions-it, fundjavën e kaluar kundër Liverpool-it, ai luajti me këtë palë të vjetra “Adipure 11pro”, thuajse të papërdorshme, me një grisje të madhe të dukshme në disa foto. Siç mund ta shihni në foto, edhe tabani i këpucëve të gjermanit është pjesërisht i thyer.

Përpara finales në Paris, Kroos mori nga klubi një palë këpucë sporti “11 pro”, me qepje të detajeve të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë datën dhe vendndodhjen e saj. Por, në vend që të vishte modelin e ri, gjermani vendosi të përdorë “hajmalinë” e tij të vjetër. Me siguri, ato i sjellin fat…/ Telesport