Basha denoncon: 200 mijë euro u shpenzuan para një jave për zyrën e ministres

“Para një jave 200 mijë euro për zyrën e Belinda Ballukut. Nuk e kam bërë unë tenderin e Belinda Ballukut…”

Duke e konsideruar një regjim qeverinë aktuale, kreu i opozitës, Lulzim Basha thekson se para një jave janë shpenzuar rreth 200 mijë euro për zyrën e ministres së Transporteve, Belinda Balluku.

Basha tha në “Opinion”, se opozita shqiptare ka dhënë ndihmesën e saj që ditën e parë. I pyetur nëse ka pasur tentativë për të kontaktuar me Ramën, Basha deklaroi se nuk kishte ndërmarrë një hap të tillë.

Basha: Ajo që bëmë ne nuk besoj se ndonjë opozitë tjetër e ka bërë më parë dhe më mirë. Më 11 mars kemi propozuar planin ekonomik që ia vumë në dispozicion. I thamë se këto janë paratë për familjet, për biznesin e vogël, për biznesin prodhues dhe këto janë paratë për shëndetësinë.

Para një jave 200 mijë euro për zyrën e Belinda Ballukut. Nuk e kam bërë unë tenderin e Belinda Ballukut. Kjo është shuma që shpenzohet për zyrën e Belinda Ballukut. Kjo është në faqen e zyrave të shtetit, në Open Date Albania. Shifrat tona më i vë në diskutim.

Fevziu: Keni pasur tentativë për të kontaktuar me kryeministrin?

Basha: Nuk kam pasur tentativë. Çfarë emri mund t’i vëni kur kryetari i qeverisë flet që shqiptarët do shkojnë për mish qeni dhe jep miliona për inceneratorët. Ky është një regjim. Regjimi nuk pret telefonatë nga opozita.


Shtuar 30.04.2020 19:32