Kukësi në ankth, e premtja vendimtare për hapjen e stadiumit

Klubi i Kukësit synon që të rikthehet në qytetin e tij pas gati tre vitesh. Mesditën e së premtes do të ketë një inspektim nga ekspertët grek, të cilët do të bëjnë vlerësimin e tapetit të fushës, për të vendosur më pas nëse do të jepet leja që stadiumi të hapë dyert.

Në rast se ekspertët grek do të konfirmojnë se tapeti është gati atëherë Kukësi do të kthehet në shtëpi në ndeshjen e fundit të fazës së tretë, në takimin me kryesuesit e Tiranës, e planifikuar për t’u luajtur në fillimin e muajit të ardhshëm.

Krahas grekëve pritet që të ketë një inspektim edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i cili do të udhëtojë drejt verilindjes për të parë nga afër gjendjen e stadiumit.

Burime për SuperSport bëjnë me dije se çdo gjë tjetër në stadium ka përfunduar, dhe tashmë pritet vetëm leja për fushën, në mënyrë që skuadra të kthehet në shtëpinë e saj, në impiantin e ri.

30 maj 2019 është data kur Kukësi ka zbritur për herë të fundit në stadiumin e tij dhe tashmë është në ditët  fundit të pritjes për t’u rikthyer në bazë.

Klubi ka paralajmëruar se shumë shpejt do të kërkohet dhe një sponsor për emrin e stadiumit, i cili për momentin është emëruar “Kukës Arena”.

Skuadra synon që të rikthehet në shtëpi sa më parë, ku me ndihmën e tifozëve të realizojë objektivin Europë, pas mungesës në edicionin e shkuar.


Shtuar 17.03.2022 19:41