Situata politike, gazetari: Parlamenti i mbushur me kriminelë, PD e ka mendjen te karrigia e kryetarit

Partia Demokratike vijon të jetë më e përçarë se kurrë më parë, dhe jo në dy, por tashmë në tre grupime. Edhe pse së fundmi duket se kemi sinjale pozitive, pasi me ftesë të Gazmet Bardhit, për herë të parë që nga zgjedhjet e 21 prillit 2021 u bashkuan pjesa më e madhe e deputetëve demokratë në një tryezë. Kjo pasi Berisha pranoi ftesën, dhe gjata mbledhjes së parë me grupimin e Bardhit, u ra dakord për mbledhje të përjavshme.

Por, a do të mundë PD të bashkohet?

Gazetari Taulant Halili, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Breaking” mendon se kjo nuk do të ndodhë.

Halili: Sot kemi një grup në PD, flas për grupimin e Bardhit, i cili iu bashkua Berishës që po e bëjnë për interesa politike. Këtë po e bëjnë për të marrë një mandat pas dy vitesh sepse e shohin të pamundur të qëndrojnë te Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha.

Por a ndikoi rikthimi i Lulzim Bashës në krye të PD në fakti që Bardhi u afrua me Berishën?

Halili: Nuk besoj të jetë kjo, sepse nëse do kemi parasysh akuzat që i kanë bërë njëri-tjetrit…kanë qenë shumë më të forta akuzat që i ka bërë Bardhi Berishës apo Bardhi Berishësh dhe anasjelltas. Është totalisht politike, personale dhe nuk është në interes të qytetarëve bashkimi i PD.

Gazetari Halili mendon se ky është thjesht një bashkim numrash.

Halili: Bardhi deklaroi pak ditë më parë, pasi u afrua me Berishën se lufta e tyre do të ishte kundër qeverisë së korruptuar, qeverisë së kapur nga krimi. Po shohim akoma lojëra fjalësh ndërmjet opozitës dhe vijojmë të kemi emërime ministrash, ministra që dalin në përgjime, deputetë të lidhur me krimin.

Në fund, gazetari tha se në Shqipëri po ndodhin çudira, por ne ende merremi me problemin se kujt i takon karrigia e PD-së, mes Bashës, Bardhit dhe Berishës/Albeu.com


Shtuar 14.09.2023 21:25