Hiqeshin si zyrtarë dhe mashtronin qytetarët, arrestohen 3 persona në Tiranë: Skema dhe 89 mijë euro të sekuestruara

Policia ka vënë në pranga 3 shtetas; E. A., 21 vjeç, A. B., 18 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë, të cilët kanë tentuar të mashtrojnë një subjekt privat, për të përfituar shumën 40 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe duke përdorur emra të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 89 400 euro të gjetura gjatë kontrolleve të banesave dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policise:

Tiranë/Falë rritjes së besimit të qytetarëve te Policia, për të denoncuar rastet e veprimtarive kriminale dhe paligjshmërinë në tërësi, si dhe reagimit në kohë e me profesionalizëm të strukturave policore, u finalizua operacioni policor i koduar “Tentativa”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe Forcat Operacionale të DVP Tiranë.

Tentuan të përfitonin nëpërmjet mashtrimit, një shumë të madhe parash, nga një subjekt privat, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 89 400 euro dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar.

Operacioni “Tentativa”, në vijim të 2 operacioneve të zhvilluara më parë nga Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe Forcat Operacionale të DVP Tiranë, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”, për identifikimin, lokalizimin dhe vënien në pranga të disa shtetasve që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët kishin tentuar të mashtronin një subjekt privat, për të përfituar shumën 40 000 euro.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Tentativa”, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe ndalimi, për veprat penale “Mashtrimi”, mbetur në tentativë dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, i shtetasve E. A., 21 vjeç, A. B., 18 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi F. Gj., 39 vjeç, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Subjekti”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në datën 10 janar të këtij viti, është bashkëpunëtor me 3 shtetasit e lartpërmendur, të cilët u arrestuan në flagrancë gjatë operacionit “Tentativa”. Vijon puna për kapjen e shtetasit F. Gj.

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një subjekt privat, për të përfituar shumën 40 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe duke përdorur emra të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 89 400 euro të gjetura gjatë kontrolleve të banesave dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.

Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.