Komiteti i Ekspertëve: Hiqen të gjitha masat anti-Covid në vend, aplikojmë dozën e katërt për moshat mbi 60 vjeç

Sot është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe ka vendosur heqjen e masave kufizuese të Covid-19 në vend. Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se do të hiqen maskat në ambientet e jashtme, do të lejohet muzika pas orës 23:00 dhe hapja e klubeve të natës si dhe do të hiqet certifikata e vaksinimit.

Rakacolli gjithashtu njoftoi se do të aplikohet doza e katërt për personat mbi 60 vjeç

“Duke u nisur nga analiza e këtyre treguesve dhe shifrat e vaksinimit Komiteti Teknik vendosi këto rekomandime: Vaksinim me dozë të katërt të mbi 60%.  Heqja e detyrimit për mbajtjen e maskës. Lejimin e muzikës pas orës 23 dhe rihapjen e klubeve të natës. Nuk kërkohet certifikatë në të gjitha hyrjet kufitare të Shqipërisë”, tha Mira Rakacolli.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino tha se tha se në vend kanë ardhur më shumë se 3 milionë doza vaksinash dhe se kemi mbi 50% me dy doza për të gjithë popullatën 16 vjeç e lartë.

“Në kuadër të këtij komunikimi theksojmë se vaksinimi është i domosdoshëm. Në Shqipëria kanë ardhur mbi 3 milionë doza vaksinash, mbi 87% e tyre janë përdorur. Kemi një nivel të lartë vaksinimi. Vaksina më e përdorur është Pfizer, e ndjekur nga covornavac dhe pastaj Astra Zeneca. Kemi mbi 50% me dy doza për të gjithë popullatën 16 vjeç e lartë. Gjysma e popullatës është vaksinuar”, u shpreh ajo.