Erdogan: Vendet e Perëndimit duhet ta mbajnë premtimin për marrëveshjen për drithërat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën vonë se ringjallja e marrëveshjes me Rusinë për lejimin e eksportimit të drithërave ukrainase, varet nga Perëndimi.

Ai u bëri thirrje vendeve të Perëndimit që t’i mbajnë “premtimet e tyre”.

“Mendoj se zgjidhja mund të gjendet”, tha Erdogani më 8 gusht, duke iu referuar një bisede të mëparshme telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili nuk pranoi ta vazhdonte marrëveshjen.

Erdogani luajti rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.

Gjatë bisedës me Putinin më 2 gusht, Erdogani e kishte theksuar rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën ne quajti “ura për paqe”.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia mundësonte Ukrainës të eksportojë drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq nga ajo.

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë atë.

Nga sulmet ruse me dronë u dëmtuan objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës së 2 gushtit.

Si pasojë e sulmeve ruse, një depo drithi, silose drithi dhe magazina tjera drithi u dëmtuan apo shkatërruan, thanë zyrtarët ukrainas.


Shtuar 8.08.2023 22:19