Vuçiç: Pas 23 prillit do të ketë pushtim të plotë të veriut të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi që ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen në veri të Kosovës më 23 prill.

Sipas tij, pasi të formohen autoritetet e reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – do të ketë “pushtim të plotë”.

“Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiç më 22 prill, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Vuçiç po ashtu komentoi edhe deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, që tha se blloku evropian është i zhgënjyer që Lista Serbe dhe serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

Lideri serb tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 prill u bëri thirrje qytetarëve në veri që të dalin në zgjedhje. Ajo tha se dalja e tyre në zgjedhje do të ishte një “mesazh i fortë” për ata, që sipas saj, kanë “kërcënuar dhe frikësuar” banorët në veri që të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Përveç katër kryetarëve të rinj, më 23 prill do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Në zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave dhe vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

Zgjedhjet po mbahen pasi më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet fillimisht ishin caktuar për 18 dhjetor të vitit 2022, por ishin anuluar për shkak të tensioneve në veri të Kosovës./rel/