U kthye të pleqëronte në fshat pas 20 vitesh në SHBA, si u vra për një rrip toke 65-vjeçari në Pogradec

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme qytetin e Pogradecit, ku një 65-vjeçar, Safet Hyskollari, u vra nga një 63-vjeçar pas një konflikti të çastit.

Ndërkohë kanë dalë të tjera detaje lidhur me ngjarjen e rëndë, ku mësohet se ai ishte kthyer pas emigrimit 20-vjeçar në Shtetet e Bashkuara për të pleqëruar në fshatin e tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gështenjas të Pogradecit, ndërsa autori është identifikuar si Fatmir Manellari, 63 vjeç, i cili pas krimit është larguar dhe shpallur në kërkim.

Sipas dëshmitarëve okularë, viktima Safet Hyskollari, po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet të cilës futej ne banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij. Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar e ka qëlluar katër herë me thikë komshiun e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Banorë të zonës shprehen se nuk kishin dëgjuar asnjëherë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit. Ngjarja ka qenë shumë e papritur edhe për familjen e autorit, të cilët e kanë marrë vesh lajmin nga gazetarët që kishin shkuar në vendngjarje. Ndërkohë, policia ka nisur hetimin për 63-vjeçarin Fatmir Manellari, i cili dyshohet se është larguar në drejtim të pyllit me Gështenja.