Sot në mbrërmje inagurohet stadiumi i ri i Kukësit, ja cili këngëtar është i ftuar (VIDEO)

Pritja mori fund, sot Kukësi përuron stadiumin modern. Nga 23 maji i 2018-ës deri në 23 prillin e 2022-shit, skuadra verilindore ka qenë plot katër vite larg shtëpisë.

Ndeshja e fundit në “Zeqir Ymeri” ka qenë me Flamurtarin më 23 maj 2018, ndërsa sot në orën 20:00 ndaj Laçit, do të luhet në impiantin që ka ndryshuar edhe emrin, pikërisht “Kukës Arena”.

Plot 1430 ditë pritjeje dhe migrim nëpër thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilat kanë pasur ndikimin edhe në rezultatet e arritura. Investimi në stadium i ka kaluar 10 milionë dollarë, ndërsa kapaciteti është zyrtarisht 6200 vende. Për të bërë përurimin e impiantit do të jetë sot në Kukës kryeministri i vendit, Edi Rama.

Financimi ka qenë i përbashkët, qeveri-FSHF, teksa i pranishëm do të jetë edhe presidenti Armand Duka, si dhe drejtues të tjerë të institucionit të futbollit shqiptar. Gjithashtu, janë ftuar krerët e Federatës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Për ndeshjen me Laçin, klubi verilindor ka menduar që hyrja në stadium të jetë falas.

KONCERTI – I ftuari special në koncertin që do të mbahet sot në orën 19:00 në stadiumin “Kukës Arena” do të jetë këngëtari i njohur Gold AG, i cili preferohet shumë nga të rinjtë.Drejtuesit kanë menduar të ftojnë reperin e famshëm nga Presheva, për të mundësuar afrimin e sa më shumë të rinjve në stadium. Duket se gjithçka është përllogaritur në detaje, në mënyrë që atmosfera në mbrëmje të jetë elektrizuese.


Shtuar 23.04.2022 16:41