Rama nga Shkupi: Kush nuk mori pjesë te nisma “Ballkani i Hapur” bëri gabim

Kryeministri, Edi Rama, foli sot nga Shkupi për përfundimin e misionit të nismës së “Ballkanit të Hapur”. Ai tha se ata që nuk morën pjesë në atë nismë kanë gabuar, duke nënkuptuar këtu Kosovën dhe Malin e Zi.

“Nuk dua fare në këtë proces për organizimin e samitit të Berlinit dhe domosdoshmërinë e të futurit bashkë të gjithë nën ombrellën e Berlinit. Dua që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. Nuk dua ti jap askujt asnjë mundësi që të vijojë të flasë për paralelizma dhe alternativa. Kjo është shumë e qartë. Për mua Ballkani i Hapur ka bërë shërbim të madh. Një mijë herë të kthehesha do e bëja prapë. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim për veten e vet”, tha Rama.

Gjithashtu Rama, u pyet nga gazetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nëse e cilëson si gabim nismën e Ballkanit të Hapur, e cila siç ka deklaruar vetë shefi i qeverisë, e ka përfunduar misionin e saj dhe se përqendrimi tashmë do të jetë te Procesi i Berinit.

Rama tha se edhe sikur njëmijë herë të kthehej mbrapa, njëmijëherë do ta ribënte.

/albeu.com/


Shtuar 6.07.2023 13:21

Tags: