Berlini në “luftë”, kundërshtohen masat anti-Covid: 4 të plagosur pas përleshjeve mes protestuesve dhe policisë (VIDEO)

Katër policë u plagosën sot dhe 50 persona u arrestuan gjatë një demonstrate në Berlin.

Mijëra njerëz u mblodhën për të protestuar kundër masave të qeverisë kundër COVID-19, pavarësisht ndalimeve në disa tubime të planifikuara.

Sipas policisë gjermane, disa nga demonstruesit u përpoqën të kalonin barrikadat rreth ndërtesës së Rajhstagut dhe atje ata u përleshën me policinë, transmeton dw. Katër policë u plagosën në përleshje, ndërsa 50 persona u ndaluan për sulmin ndaj forcave të zbatimit të ligjit.

Protestuesit, disa prej të cilëve mbanin maska, tundnin pankarta ku shkruhej “Unë kam një opinion” dhe “COVID-84”, duke aluduar në librin e George Orwell të vitit 1984 mbi gjendjen totalitare.

Policia ka ndaluar nëntë tubimet e planifikuara për sot, përfshirë një të organizuar nga lëvizja Querdenker nga Shtutgarti, lëvizja më e dukshme kundër masave të koronës në Gjermani, raporton deutsche welle.

Më shumë se 2,000 policë u vendosën rreth qytetit për t’iu përgjigjur demonstratave, të cilat u mbajtën pavarësisht ndalimeve.

Gjykata vendosi në favor të lejimit të një proteste, të planifikuar për 500 persona të shtunën dhe të dielën.

Protestat e sotme vijnë në mes të një debati në Gjermani se si dhe nëse do të vendosen masa kufizuese për njerëzit e pavaksinuar, një çështje që po bëhet gjithnjë e më urgjente ndërsa rritet numri i rasteve të viruseve.


Shtuar 28.08.2021 20:47