Plani B i Zelensky:Pse Ukraina mund të mbështetet tek Kina për t’i dhënë fund luftës me Rusinë

Nga Federico Giuliani ”Il Giornale”                                                    

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ukraina nuk mund të bëjë pa Kinën. Nuk ka shumë rëndësi nëse në prag të shpërthimit të luftës në Ukrainë, Pekini e forcoi bashkëpunimin me Moskën, duke shpallur krijimin e një partneriteti të pakufizuar. Apo nëse gjiganti aziatik vazhdon t’i referohet konfliktit si një “krizë politike” dhe jo një luftë, apo edhe nëse “Dragoi” nuk e mban Kremlinin përgjegjës për atë që ndodhi.

Volodymyr Zelensky e njeh mirë peshën e marrëdhënieve dypalëshe të Ukrainës me Republikën Popullore të Kinës, sidomos në fushën ekonomike. Për këtë arsye ai s’ka ndërmend që t’ia mbyllë derën në fytyrë Xi Jinping. Pak ditë më parë ndodhi telefonata e shumëpritur midis 2 liderëve.

Zelensky e quajti atë “të rëndësishme”, “miqësore”, dhe të aftë t’i japë “një shtysë të fortë” lidhjeve Kinë-Ukrainë. Nga ana e tij, Xi i përsëriti bashkëbiseduesit se dialogu dhe negociatat përfaqësojnë rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës, dhe se askush nuk do të mund të fitonte kurrë një luftë bërthamore nëse do të shpërthente (siç është kërcënuar disa herë nga Rusia).

Shtetet e Bashkuara, që nuk ishin në dijeni të vendimit të Pekinit, dhe as që e prisnin një telefonatë midis Xi dhe Zelensky në këtë moment, e pranuan se nuk e dinë nëse kjo bisedë mund të sjellë ndonjë gjë konkrete. “I takon Ukrainës dhe Zelensky-t që të vendosin nëse duan të ulen në tryezën e negociatave të paqes”- deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit të SHBA-së, John Kirby.

Ndërkohë vetë presidenti ukrainas u shfaq shumë më optimist dhe entuziast se sa Uashingtoni. Ashtu si disa javë më parë, kur presidenti ukrainas la përshtypjen se  e vlerësonte, edhe pse me disa rezerva, nismën e planit të paqes të paraqitur nga Kina, dhe kur deklaroi se donte të bisedonte për këtë me homologun e tij kinez.

Tani duket se kjo prirje është forcuar më tej. Nuk është rastësi që pas bisedës telefonike me Xi, vetë Zelensky emëroi ambasadorin e ri të Ukrainës në Pekin, ndërsa presidenti kinez ka premtuar se do të dërgojë një përfaqësues special në Kiev, në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje për paqe.

Sido që ta analizohet ky moment, fakt është se Ukraina po jep përshtypjen se i vlerëson lëvizjet e fundit të Kinës. Dhe arsyet për këtë nuk janë të vështira të kuptohen. Pavarësisht luftës që po vazhdon, Pekini qëndron ende në krye të listës si vendi me volumin më të madh tregtar me Ukrainën.

Kina e kapërceu Rusinë në vitin 2019, duke u bëtë partnerja më e madh tregtare e Ukrainës, me një volum total 18.98 miliardë dollarësh, dhe me një rritje prej gati 80 për qind krahasuar me vitin 2013. Eksportet e Ukrainës në Republikën Popullore, kryesisht mallra si minerali i hekurit, misri dhe vaji i lulediellit, arritën në 8 miliardë dollarë në vitin 2021.

Ndërkohë importet nga Kina, kryesisht makineri dhe mallra të konsumit, arritën në 10.97 miliardë dollarë. Po ashtu gjatë viteve 2020-2021, “Dragoi” u bë gjithashtu importuesi më i madh i elbit ukrainas. Rreth 30 për qind e importeve të misrit nga Kina vitin e kaluar, ose më shumë se 8 milionë tonë, vinin nga Ukraina.

Pastaj vlen të kujtohet edhe një aspekt tjetër interesant:pavarësisht takimeve midis Putin dhe Xi, Kina mbeti partneri tregtar n.1 i Kievit, me 1 miliard dollarë tregti në muaj (dhe 2.6 miliardë në eksporte) në periudhën janar-mars 2023, një volum më i madh se me Poloninë, që po vazhdon ta furnizojë me armë qeverinë ukrainase.

Kompanitë e mëdha kineze që operojnë në Ukrainë, përfshijnë konglomeratin ushqimor shtetëror Cofco, kompanitë e ndërtimit China Pacific Construction Group dhe China Harbour Engineering Co (Chec) dhe gjigantin e telekomunikacionit Huawei Technologies.

Në vitin 2016, Cofco nisi ndërtimin e një terminali drithi në portin detar Nikolaev në Ukrainën Jugore me vlerë 75 milionë dollarë. Në vitin 2019, Chec përfundoi thellimin e kalatave në portin e Chornomorsk, ndërsa një vit më vonë China Pacific Construction Group nënshkroi një marrëveshje për ndërtimin e një linje metroje në kryeqytetin Kiev.

Kompania tjetër kineze, Huawei, e cila e ka ndihmuar Ukrainën të zhvillojë rrjetet e saj celulare, fitoi tenderin për ndërtimin e rrjetit 4G në metronë e Kievit në vitin 2019, dhe u përzgjodh një vit më vonë për të ndihmuar në sigurimin dhe përmirësimin e mbrojtjes kibernetike të Ukrainës.

Në vitin 2021, China Longyuan Power Group Corporation, prodhuesi më i madh i energjisë së erës në Kinë, ndërtoi dhe vuri në funksion një park me impiante eolike në qytetin ukrainas Yuzhne. Në vitin 2011, u nënshkrua një marrëveshje me Bankën e Eksport-Importit të Kinës dhe Korporatën Kombëtare të Inxhinierisë së Industrisë Kombëtare të Makinerisë (CMEC) për ndërtimin e një linje që mund të lidhë Kievin me aeroportin Boryspil.

Banka dha një kredi prej 372.3 milionë dollarë, ndërsa tenderi u fitua nga CMEC.  E fundit, por jo më pak e rëndësishme:Kievi iu bashkua në vitin 2017 Nismës se Brezit dhe Rrugës, nënshkroi një marrëveshje me Kinën në vitin 2020 për të forcuar bashkëpunimin në ndërtimin dhe financimin e infrastrukturës, dhe gjatë viteve 2016-2020, ishte furnizuesi i tretë më i madh i armëve për Pekinin pas Rusisë dhe Francës.

Që nga shpërthimi i luftës, Uashingtoni ka qëndruar në krah të Kievit duke bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Zelensky-n të zmbrapsë ofensivën e Rusisë. Angazhimi i Uashingtonit ka qenë i prekshëm në disa fronte:shkëmbim informacioni midis shërbimeve sekrete, trajnim specifik i ushtarëve ukrainas në përdorimin e armëve moderne dhe të teknologjisë së lartë, vendosje e sanksioneve ekonomike kundër Moskës për të minuar makinerinë luftarake të Kremlinit, dhe në fund dërgesat e shumta me armatime.

Pas një viti luftime, dhe me konfliktin që tani është shndërruar në një luftë të gjatë rrënimi, entuziazmi fillestare të Perëndimit ka nisur t’i lënë vendin real-politikës . Kjo jo vetëm  për arsye thjesht strategjike, me rrezikun e zbutjes së nevojës së Kievit për armë, që mund të shkaktojë një kundërpërgjigje bërthamore nga ana e Moskës, por edhe për arsye organizative.

Për shembull, rezervat amerikane të predhave 155 mm dhe ato të aleatëve të saj evropianë, nuk janë në një nivel të tillë që të mbështetin një luftë tokësore konvencionale si ajo që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë. Dhe ato që shqetësojnë më tej bllokun perëndimor janë lëvizjet e qeverisë ukrainase, brenda së cilës ekzistojnë me sa duket shumë rryma.

Përfshirë atë më nacionalisten, e cila do të donte ta zgjeronte frontin, të sulmonte territorin rus në thellësi, dhe të kryente një sërë atentatesh dhe sulmesh strategjike që mund të shkaktonin një përshkallëzim shumë të rrezikshëm. Ekziston ndjesia se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të garantojnë furnizimet ushtarake të Ukrainës deri në kundërofensivën e Kievit këtë pranverë.

Pas këtij momenti, qoftë në rastin e çlirimit të territoreve të pushtuara, apo të dështimit për ta bërë këtë, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë mund të mbyllin gradualisht “rubinetin” e ndihmave ushtarake. Në skenarin më të keq, pra kur ofensiva e saj mund të përfundojë pa asnjë arritje të rëndësishme, Ukraina do ta gjente veten në një terren të panjohur, dhe do të ishte subjekt i reagimit të armikut.

Kjo është arsyeja pse presidenti ukrainas, mund të ketë menduar për një lloj Plani B, që parashikon mbështetjen e Kinës për të mbushur çdo boshllëk që mund të lihet nga SHBA.

Sigurisht, Zelenski do të vazhdojë të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara. Por nëse Uashingtoni do të ndryshojë strategjinë e tij, atëherë presidenti ukrainas mund të luajë “kartën kineze”.

Xi Jinping do të ishte i gatshëm të zbriste në terren në rolin e ndërmjetësit , për të zgjidhur konfliktin duke propozuar një “zgjidhje me karakteristika kineze”, pra një statuskuo me doza të mëdha pragmatizmi, dhe që do të jetë i favorshëm për interesat gjeopolitike të Pekinit. Për të mos mbetur pa një mbrojtës, Ukraina mund të pranojë të veshë “jelekun e shpëtimit” që i ofron Kina, duke përdorur marrëdhëniet e vjetra ekonomike. /AlbEu.com


Shtuar 1.05.2023 12:55