Berisha: 22-vjeçares Joy Ayoko i hoqën oksigjenin në spital, vrasësi i saj mbrohet nga qeveria

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se vrasësi i kenianes Joy Ayoko po mbrohet nga qeveria shqiptare.

Teksa ka ndarë një video në “Facebook” për rastin në fjalë, Berisha thotë se të resë i hoqën oksigjenin në spital dhe në prokurori e polici prishen provat.

“Shpirti i 22 vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko kërkon drejtësi. Vrasesi i saj mbrohet nga qeveria. Shkruhet se në spital i hoqën oksigjenin, në prokurori dhe polici prishen provat. Për të mbrojtur kriminelin u përdorën të gjithë fuqitë kriminale të shtetit”, shkruan Berisha.

Ndërkohë autoritetet keniane kanë nisur përgatitjen e përgjigjes së letërporosisë së dërguar nga prokuroria shqiptare lidhur me çështjen e vdekjes së vajzës keniane Joy Ayoko. Tre ditë më parë Drejtoria e Hetimeve Penale të INTERPOL Kenias ka kontaktuar nënën e Joyt, Ruth Abongo dhe i kanë kërkuar raportin e vdekjes së Joyt për llogari të autoriteteve shqiptare, të cilën nëna ia ka dërguar 3 ditë më parë.

Po ashtu mësohet se përveç raportit të vdekjes së Joyt në letërporosi autoritetet shqiptare kanë kërkuar edhe marrjen në pyetje të nënës së Joyt, motrës dhe vëllait të Joyt dhe shoqes së Joyt në Kenia, me të cilën 22-vjeçarja ka komunikuar pak minuta para ngjarjes së rëndë ku u dhunua barbarisht.

 


Shtuar 13.08.2023 22:33