PD kërkon mbledhjen e Këshillit te Rregullores për mandatin e Olta Xhaçkës

Deputeti demokrat, Gazmend Bardhi i ka dërguar sot një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Nëpërmjet letrës, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka, për të paraqitur raportin nga relatorët, në lidhje me kërkesën për heqjen e mandatit të deputetes, Olta Xhaçkës.

PD akuzon se ministrja Xhaçka është në konflikt interesi sa i takon një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Opozita pretendon se bashkëshorti i saj qëndron pas një kompanie që do të ndërtojë resort turistik në bregdetin e Himarës në cilësinë e investitorit strategjik.

Përfshirjen në politikë, Olta Xhaçka e nisi në vitin 2009 si deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës.

Në mars të 2017-ës, asaj iu besua drejtimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, post të cilin e mbajti vetëm 5 muaj.

Po në të njëjtin vit mori drejtimin e një tjetër ministrie, atë të Mbrojtjes duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua një tjetër post ministror, ai i Ministrisë së Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.