Rusia synon luftën e gjatë, por aleatët duhet të investohen që Ukraina të fitojë sa më shpejt 

Nga Sam Greene & Alina Polyakova “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vizita historike e presidentit amerikan Joe Biden në Kiev disa ditë përpara përvjetorit të parë të sulmit gjithëpërfshirës të Rusisë ndaj Ukrainës, dërgoi një mesazh të rëndësishëm për ukrainasit dhe në fakt edhe për rusët. “Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”- deklaroi Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa të duhet”. Në të vërtetë kjo qasje është përqafuar edhe nga aleatët e Ukrainës, e përsëritur edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Por termi “për aq kohë sa duhet” sinjalizon për shumë ukrainas se aleatët presin që lufta të zgjasë për vite me radhë, me Ukrainën që do të mbajë barrën kryesor të saj.

Dhe ata kanë të drejtë: edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë dërguar pajisje ushtarake me vlerë miliarda dollarë në Ukrainë, mungon ende një gjë thelbësore: angazhimi i unifikuar për një fitore të shpejtë të Ukrainës. Në rast se SHBA-ja nuk do që ta gjejë veten të përfshirë në një luftë tjetër të përjetshme, me kushte që i përshtaten shumë presidentit rus Vladimir Putin, është koha që të ndryshojë qasja aktuale.

Një model i qartë sjellje është shfaqur vitin e kaluar: ukrainasit kërkojnë një sistem armësh, dhe qeveritë perëndimore refuzojnë ta ofrojnë atë, vetëm për të ndryshuar mendje disa muaj më vonë pas debateve publike dhe mosmarrëveshjeve midis aleatëve. Lajmi në janar të këtij viti mbi dërgimin e tankeve gjermane “Leopard” dhe atyre amerikane “Abrams”, ishte natyrisht i mirëpritur.

Por ai erdhi pas muajsh debatesh midis aleatëve, duke kulmuar me një ultimatum nga Gjermania që do të lejonte dërgimin e tankeve të saj vetëm nëse Shtetet e Bashkuara zotoheshin të dërgonin të tyret në të njëjtën kohë. E njëjta gjë ndodhi me bateritë e mbrojtjes raketore “Patriot’, të cilat në fillim të luftës Uashingtoni i pa si një vijë e kuqe për Putinin, vetëm për t’i dërguar ato muaj më vonë pasi kishin humbur mijëra jetë të tjera njerëzish.

I njëjti debat po zhvillohet tani mbi avionët luftarakë dhe sistemet e raketave me rreze të gjatë. Ukrainasit po kërkojnë F-16 dhe ATACMS, sistemet e raketave tokë-tokë me rreze të gjatë që u duhen për të goditur rusët në pjesët e pushtuara nga Rusia siç është Krimea. Kur u pyet më 30 janar mbi këtë çështje Biden tha “jo”. Më pas këshilltarët e tij e rishikuan qëndrimin në “Jo tani”.

Po atë ditë Macron tha se asgjë nuk përjashtohej në parim. Po kështu edhe kryeministri britanik Rishi Sunak. Por kjo qasje e turbullt po e inkurajon Putinin të besojë se koha është në anën e tij, dhe se Shtetet e Bashkuara përfundimisht do të lodhen, siç ndodhi në Afganistan, sidomos kur erërat politike ndryshojnë teksa po afrohet fushata për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Edhe pse në dukje po synon të shmangë përshkallëzimin, një politikë e tillë po shtron terrenin për diçka shumë më të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj:një fitore të mundshme të Rusisë. Është e qartë se Moska nuk mund ta fitojë luftën e saj në Ukrainë me kushtet maksimaliste të përcaktuara fillimisht nga Putin.

Putin nuk mund të pushtojë kurrë apo të mbajë të pushtuar gjithë Ukrainën. Ai nuk mund t’i imponojë popullit ukrainas një qeveri të mbështetur nga Rusia. Dhe pasi veproi për të parandaluar integrimin e Ukrainës me Perëndimin, ai e ka bërë të pashmangshme këtë të fundit.

Ndërkohë është po aq e qartë se Putin mund dhe do të përdorë çdo gjë, qoftë edhe një sukses minimal për ta shpallur si fitore para rusëve, mjafton që ajo të vazhdojë ta mbajë në pushtet. Në fakt, Putin i ka dhënë vetes një sasi gjithnjë e më të madhe hapësire përleshje retorike mbi qëllimet e tij të luftës dhe ai flet për çmilitarizimin dhe de-nazifikimin e Ukrainës me entuziazëm në rënie. Megjithatë, duhet të bëhet e qartë për Perëndimin. Nëse Rusia do të lejohej të mbante ndonjë nga përfitimet e saj të paligjshme territoriale në Ukrainë – qoftë nëpërmjet traktatit të paqes, armëpushimit apo ngërçit – do të humbte fuqia parandaluese e Shteteve të Bashkuara dhe aleancës transatlantike.

Asnjë agresor i mundshëm nuk do të kishte më nevojë të merrte në konsideratë përgjigjen perëndimore përpara se të pushtonte apo edhe thjesht të kërcënonte një vend fqinj. Parandalimi bërthamor i Shteteve të Bashkuara do të mbetej, por ai shtrihej vetëm në ato vende me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një aleancë formale.

Për pasojë fuqitë revizioniste si Kina, Irani dhe Rusia do të fillonin së shpejti të kërkonin të “çara” në ombrellën bërthamore të NATO-s. Nga ana tjetër, ukrainasit mund të vendosin vetë që duan të ndalojnë luftën, dhe kjo është e drejta e tyre sovrane dhe demokratike. Nëse ndodh kjo, qeveritë perëndimore duhet të jenë të gatshme ta mbështesin Kievin në negocimin e një marrëveshjeje që do të garantonte sigurinë e vendit dhe do ta vendoste atë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe aftësinë për të mbrojtur sovranitetin dhe prosperitetin e vet. Por liderët dhe publiku perëndimor nuk duhet të kenë asnjë iluzion se çfarë do të ndodhte nëse kjo zgjedhje do t’i imponohej Ukrainës vetëm sepse publiku perëndimor u lodh nga një luftë në të cilën ai nuk është i angazhuar.

Gjatë 12 muajve të fundit, paqartësia perëndimore e ka inkurajuar Putinin ta zgjasë këtë luftë, duke e lejuar atë të besojë se ndoshta mund të vijë një moment kur mbështetja ndaj Ukrainës do të ndalet. Zëvendësimi i kësaj paqartësie me qartësinë strategjike – duke e privuar Putinin nga çdo opsion të mundshëm përveç një tërheqjeje të organizuar – mund të ndihmojë në përfundimin e kësaj lufte. Për të huazuar një frazë nga fjalimi vjetor i Biden në shkurt, është koha që Perëndimi ta përfundojë punën e tij.

Marrë me shkurtime
Shënim:Sam Greene, drejtor i Rezistencës Demokratike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe profesor mbi politikën ruse në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Alina Polyakova, drejtore ekzekutive e Qendrës për Analiza e Politikave Evropiane, dhe profesore e studimeve evropiane në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare Xhon Hopkins.


Shtuar 17.03.2023 15:17