Shpërthimi me tritol i hotel “Bizantit”, vjen reagimi i Bashkisë Sarandë: Autorët të vihen para përgjegjësisë

Bashkia Sarandë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e mëngjesit të sotëm, ku hotel “Bizanti” u hodh në erë me tritol, nga persona ende të paidentifikuar.

Në reagim bashkia shprehet se po evidentohen dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth, ndërsa u bën thirrje organeve ligjzbatuese të vënë sa më shpejt para përgjegjësive autorët.

Reagimi:

Pas situatës jo të zakonshme, të krijuar mëngjesin e sotëm në një nga bizneset hoteliere në shëtitoren e qytetit të Sarandës, një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Shërbimeve, Emergjencave Civile dhe Shërbimit Zjarrfikës, kanë evidentuar dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth.

Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, po punojnë në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe dëmeve në këto hapësira, si dhe normalizimin e situatës.

Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate.

Inkurajojmë strukturat ligjzbatuese për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Jemi të bindur se kjo ngjarje dhe pasojat e saj, të cilat, për fatin e mirë janë vetëm materiale, do të eliminohen shpejt dhe nuk do të kenë asnjë impakt negativ për qytetin.

Kujtojmë se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe objektet në afërsi, ndërsa nuk ka asnjë person të lënduar.

Nga të dhënat rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proces gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli, me palë paditëse Dhimitër Evangjeliu (shtetas grek) dhe të paditur Spiro Çabiri dhe Vangjel Shtuka.

Në QKB biznesi rezulton në bashkëpronësi të Spiro Çabirit dhe Vangjel Shtukës dhe me administratore shtetasen Miranda Çabiri.

Sipas policisë, procesi gjyqësor vijon prej vitit 2002, ndërsa fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar.

Policia e Sarandës ka shoqëruar disa persona në komisariat pas shpërthimit, dërsa pritet zbardhja e plotë e ngjarjes.

Saranda dhe tritolet ndaj hoteleve

Historitë e tritolit nuk janë të panjohura për qytetin e Sarandës.

Në dhjetor të vitit 2022 u hodh në erë muri rrethues i një banese në pronësi të shtetasit Lefter Lefteri.

Ky i fundit më parë kishte punuar në IKMT dhe ishte kallëzuar më herët madje dhe shoqëruar në komisariat lidhur me një objekt në ndërtim e sipër në lagjen nr.1 të qytetit.

Ndërkohë, po vitin e kaluar, hotelit të Mariel Muratit iu vendos tritol për herë të dytë.

Mariel Murati,ishte  ish-Drejtor i ALUIZNI-t Sarandë dhe aktualisht Drejtor i FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) në Sarandë.

Por kjo nuk ishte hera e pare që vendosej lëndë shpërthyese në pronën e Muratit. Më 9 shkurt të vitit 2021, në të njëjtin hotel u vendos sërish një sasi tritoli në tarrace, e cila shpërtheu sapo roja ndezi dritën.

Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar./albeu.com