Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, Artan Hoxha: Cili dyshohet të jetë objektivi

Gazetari Artan Hoxha ka folur në “Abc live” për sulmin më të fundit kibernetik ndaj Shqipërisë, që çoi në mbylljen e portaleve shqiptare, ndër të tjera dhe e-albania.

Hoxha tha se sulmi erdhi para takimit të opozitës iraniane që do të mbahet në Shqipëri dhe do të ketë personalitet të ndryshme, emrat e të cilëve do të mësohen më vonë

“Objektivi i sulmeve dyshohej të ishte baza e Ashraf 3 e muxhahedinëve që ndodhet në Manzë. Ata bëjnë një takim botëror çdo vit. Edhe atje bëhet me masa shumë të rrepta sigurie. Irani e cilëson si armikun nr 1 MEK-un, e ka pasur në qendër të vëmendjes për ta goditur. Këtë vit samiti mbahet në Shqipëri sepse baza që ata kanë, duke që në distancë , është një kamp që ka një nivel të lartë të sigurisë, kamera sigurie, mure të larta rrethuese dhe ata janë të përgatitur ushtarakisht.

Irani ka investuar shumë për ta goditur këtë rrezik. Në vitin 2012, ish-kryeministri Sali Berisha, dha miratimin që MEK të vijë në Shqipëri kur kampi i tyre do transferohej. Ka qenë Berisha që e miratoi ardhjen e tyre dhe kur erdhi Rama numri i tyre u zgjerua, ishin fillimisht në rrethinat e kryeqytetit. Më pas u vendos që ata të jenë në një bazë me nivel sigure, madje edhe ushqimet që ata marrin janë shumë të kontrolluara”, tha Hoxha.

Më tej ai shtoi se ka pasur edhe në të kaluarën tentativa për sulme të tilla dhe në një rast Shqipëria është lajmëruar nga Franca. Këtë herë, synimi ka qenë që të prishej imazhi i takimit, ku do të jetë edhe liderja e opozitës iraniane.

“Edhe në të kaluarën ka patur informacione për tentativë për të goditur. Një herë kanë qenë francezët që na kanë njoftuar. Janë parandaluar sulmet. Ka pasur raste kur ata kanë mundur të infiltrojnë njerëzit e tyre brenda MEK. Që nga ajo kohë ne kemi deportuar një sërë diplomatësh të Iranit. Në rastin konkret, mbajtja e samitit, nesër dhe pasnesër, do ketë shumë të ftuar nga jashtë, personalitete shumë të rëndësishëm. Emrat bëhen publkikë pas samitit.

Prandaj çdo tentativë që mund të synonte imazhin e këtij takimi botëror, ku do jetë edhe liderja e kësaj organizate. Informacioni që erdhi vuri në lëvizje strukturat tona të antiterrorist dhe me prokurorinë special filluan një hetim. U shoqërua një grup i madh personash dhe u bastisën një sërë ambientesh që përdoreshin si baza nga shërbimi sekret i Iranit. Lajmi u bë publik sepse nuk mund të fshihej. Ata kishin përdorur çdo mënyrë për tu futur në territorin e Shqipërisë dhe për të prishur imazhin e këtij aktiviteti”, tha gazetari.

Hoxha theksoi se Shqipëria është e qartë për rrezikun që vjen nga Republika Islamiste e Iranit dhe shprehu dyshime për mjaftueshmërinë e masave të marra pas sulmit

“Që nga viti 2012 Shqipëria u ekspozua përballë një rreziku që mund të vinte nga Irani. Shqipëria është e qartë për rrezikun që ka. Uroj që edhe në vijim t’ia dalim dhe Shqipëria të mos jetë mes një përplasjeje mes regjimit Iranian dhe opozitës së Iranit. Ka patur këcënim serioz, prandaj është ky alarm. Dyshoj që masat kanë qenë të mjaftueshme. Irani ka një shërbim shumë të fuqishëm. Irani e ka vazhdimisht në qendër të vëmendjes këtë. Dalja publike e ambasadës amerikane mbrëmë çoi në nivel më të lartë të alarmit dhe çoi mesazh që ne e kemi zbuluar dhe e dimë përgjigjen”, tha Hoxha.


Shtuar 22.07.2022 13:37