Inceneratorët, Banka Credins i dha kredi Klodian Zotos duke shkelur kontratën?

Pronarëve të inceneratorëve nuk u kanë mjaftuar 60 milion euro që buxheti i shtetit ka paguar për dy impianitet e Fierit dhe Elbasanit, por duke përdorur kontratat koncesionare kanë arritur të marrin miliona euro kredi në banka.

Llogaritë e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit janë bllokuar nga banka Credins në janar të këtij viti. Fieri për shkak të një overdrafti, ndërsa kontrata e Elbasanit është lënë peng për një kredi me vlerë 4.7 milion USD.

Sot administratorët e përkohshëm nuk mund të përdorin asnjë qindrakë për mirëmbatjen e objekteve dhe remonteve duke rrezikuar degradimin e veprave.

Dokumentat e siguruar nga Kronos zbulojnë se Banka Credins ka dhënë një kredi me vlerë 4.7 milion USD për kompaninë Integrated Technology Services disa muaj përpara se inceneratorët të sekuestroheshin nga SPAK.

Kredia është lëshuar më 30 prill 2021 për llogari të kompanisë ITS në pronësi të Klodian Zotos, por peng është lënë kontrata koncesionare që shteti kishte lidhur për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit me firmën  “Albtek Energy”.

Edhe pse kontrata koncesionare nuk e lejon vënien kolateral për marrjen e kredive që nuk kanë qëllim ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zoto, e le peng në bankë.

Kompania “ITS” u sekuestrua bashkë me inceneratorin e Fierit më 28 mars të vitit 2022 për llogari të hetimeve të nisura nga SPAK, duke ngrirë në këtë mënyrë dhe pagesën e kësteve të kredisë.

Banka Credins dërgon disa shkresa në Agjencinë e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara ku kërkon shlyerjen e kësteve të kredisë.

Ligji për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pronave nuk njeh pagesën e detyrimeve bankare në kohën që objekti është e bllokuar për llogari të një procesi penal.

Ligji për adminsitrimin e pronave të sekuestruara nuk përfshin pagesën e detyrimeve bankare që kanë lindur para se vepra të sekuestrohej” thotë administratori shtetëror për inceneratorin e Fierit, Farudin Arapi.

Banka Credins në dhjetor të vitit të shkuar i drejtohet zyrës përmbarimore “Bailiff Officers” për të nisur procedurat e nxjerrjes së titullit ekzekutiv deri në shlyerjen e plotë të shumës 4.7 milion USD.

Më 23 janar të këtij viti, përmbaruesi Alsid Kamberi kërkon ngrirjen për llogari të Credins Bank të llogarive bankare dhe pronave të kompanisë Albtek Energy. Albtek rezulton pronare e inceneratorit e Elbasanit, pasi sekuestrimi nga SPAK u bë disa ditë përpara se vepra të transferohej te bashkia Elbasan.

Kërkesa e bankës kundërshtohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara. “Kredia është dhënë për një kohë më të gjatë se kontrata e koncesionit, 8 vjet, ndërsa objekti do të transferohej pas disa muajsh te bashkia e Elbasanit” thotë Farudin Arapi.

Këto para janë marrë për rryshfete, korrupsion, për kompanitë e Mirel Mërtirit në Maltë, në Bullgari, për biznese të tjera që lidhen edhe me Zimbabven edhe me dosjen e ilacceve në Zimbabve.” Thotë ekonomisjta Brisida Shehaj.

Por ndryshe nga ajo që konstaton Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara, banka sqaron se kompania ka dorëzuar dokumentate se nuk ka qënë nën hetim, apo e dënuar nga Gjykata në momentin e marrjes së kredisë.

Banka nuk ka patur dijeni dhe as nuk ka patur mundësi të merrte dijeni për hetimet e filluara. Në dosje janë depozituar shkresat përkatese nga Prokuroria, Gjykata, dhe Përmbarimi, se shoqëria ITS deri në momentin e  aplikimit për kredi nuk ka patur çështje penale apo në ekzekutim/përmbarim.” thotë në një përgjigje për Kronos Banka Credins.

Administratori shtetëror i inceneratorit i kërkon Gjykatës të shfuqizojë urdhrin e Përmbaruesit, duke i kujtuar se ky vendim do të krijojë dëme të riparueshme në mjedis që prekin një komunitet të madh banorësh si në qarkun e Fierit dhe në atë të Elbasanit.

Nëse llogaritë dhe asetet e shoqërisë paditëse do të bllokoheshin, do të shkaktohet një dëm i rëndë dhe i pariparueshëm sepse implikohen interesa të një komuniteti të madh dhe do të ndikonte drejtpërdrejtë në dështimin e kontratës koncesionare.”thuhet në kërkesën drejtuar gjyaktës nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Nëse Administratori shtetëror mbështetet në nenin 297 të Kodit të Procedurës Civile, ku ndalohen veprimet përmbarimore në momentin që çështja është nën hetim, banka mbështetet në një tjetër nen të Kodit të Procedurës Civile.

Pasi Banka Credins ka konstatuar vonesat në pagesat e detyrimeve nga ana e debitorit, i është drejtuar gjykatës kompetente me kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Gjykata ka vlerësuar të drejtë kërkesën dhe ka lëshuar urdhrin për ekzekutim. Më pas, Banka me një kërkesë për vënien në ekzekutim, sipas nenit 515 të Kodit të Procedurës Civile ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës së ekzekutimit të titullit ekzekutiv.”  shprehet Banka Credins.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se skema e përdorur nuk bie vetëm mbi bankën, por rrezikon që në të ardhmen kredinë ta paguajnë bashkitë me paratë e qytetarëve.

Pas 6 vitesh, pas 26 milion euro investim, pas një kosto shumë të madhe në buxhetin e shtetit, Elbasani ndodhet në të njëjtën situatë para se të niste koncesioni dhe tashmë kredia rrezikon të paguhet nga bashkia, ose objekti t’i kalojë bankës.” thotë ajo.

Nëse Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vendosë konfiskimin e veprave, atëherë objektet e inceneratorëve do të kalojnë në pronësi të shtetit dhe jo të bankës.

Ligji e thotë qartë, nëse objekti konfiskohet, nuk shkon për bankën por i takon shtetit” thotë Farudin Arapi.

Pasuritë e marra nga drejtësia për llogari të shtetit kanë shkaktuar probleme të rënda në sektorin bankar dhe kanë rritur ndjeshëm kreditë e këqija në sistem.

Prej disa muajsh, Shoqata e Bankave po kërkon ndryshimin e ligjit për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurive, kërkesë që është pranuar nga qeveria. Institucionet janë duke punuar mbi amendimet e ligjit të cilat synojnë të njohin në një masë të caktuar edhe pagesën e kësteve të kredisë gjatë periudhës që pasuritë janë në sekuestrim apo kur konfiskohen.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka marrë një inciativë në Kuvend për të ndaluar financimin e projekteve koncesionare ose në partneritet publik-privat me kredi, ndërsa si për këto kontrata si për pranimin e kompanive në tendera publikë, sipërmarrësit do të detyrohet të kenë të paktën gjysmën e vlerës së financimit.

Kam marrë një iniciativë ligjore që të vendosim kufizime që në rastet e koncesioneve apo PPP-ve kompania duhet të ketë 50% të vkerës së investimit, njësoj edhe në fushën e tenderave publikë, që të mos rrezikohet zbatimi i kontratës apo të përsëriten raste të tilla.” thotë ajo.

Nisma është në fazën e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë dhe që të miratohet i nevojtet patjetër konsensusi i mazhorancës. /MCN/


Shtuar 23.02.2023 22:53