“Pendohet” Berisha: Ligji 7501 për ndarjen e tokës, nuk ishte në bindjen time

Ish-kryeministri gjatë takimit me fermerët në Belsh pasditen e sotme tha gjithashtu se nuk mund të premtojë se do ta rrëzojë si ligj, pasi sipas tij, tani janë krijuar marrëdhënie të tjera posedimi 30-vjeçare.

Berisha është ndalur edhe tek koha kur u miratua ky ligj, për të cilën deklaroi se nuk ishte në bindjen e tij. Berisha shton se bindja e tij ishte që “toka është e të zotit”.

Qytetari: Ligji 7501 e ka vrarë për së dyti bujkun shqiptarë. A është koha për të rrëzuar këtë ligj? Të jemi krah fqinjëve tanë.

Berisha: Mund të më pyesni shumë herë për atë ligj, edhe unë ju them ju, është votuar nga ne në kundërshtim me atë çka unë kisha në bindjen time. Bindja ime, veriu është konservator dhe atje toka është ndarë në mënyrë sipas kufijve të mëparshme pa asnjë lloj problemi. Vijmë tek Shqipëria e mesme. Unë kur isha kryetar partie, 3 muaj. Shkoja në Ndroq, kisha dalë me parullën toka e të zotit. Nuk kisha ide se mund të bëhej ndryshe.

Fshatarët më thonë se nëse do vazhdosh me këtë, ti nuk do votohesh kurrë nga ne. Zotërit e votës ishte fshati. Shkoja në Korçë dhe Lushnje, gjeja të njëjtin qëndrim. Më thoshin harroje, po të jetë se ti mban konceptin toka e të zotit, nuk ka vota. Çfarë kishte aty? Regjimi e ktheu fshatin në një rezervat njerëzor, kur kishte 3 familje, u bënë 15 familje. Cila ishte rezerva valutore e shtetit atë vit, ishte 4 mln dollarë. S’kishte asgjë. Çfarë mund të bëhet, mund të stimulohet tregu i tokës. Të them tani se do të zhbëj atë ligj, nuk mund ta marrë përsipër. Sepse janë krijuar marrëdhënie të tjera posedimi 30-vjeçare. Ajo që mund të bëjë qeveria për zmadhimin, të nxisë tregun dhe të kreditojë tregun e tokës.

Mendoj se çdo gjë do gjykohet me kohën. Po marr një fshat në të cilin në vitet 90’ jetonin 300 banorë. Nëse prej tyre, 200 mbeteshin pa tokë, asnjë lloj potenciali nuk kishte shteti për t’i ndihmuar. Nuk u shpik, por ishte jo i drejtë. Toka e atij që punon dhe jeton aty. Bullgaria, përdori të njëjtin ligj. Ndryshoi më vonë ligjin, por Bullgaria ka sipërfaqe toke për frymë, ka mundësi 10 herë më shumë se Shqipëria. Nëse ka një gjë që ne e kemi pak për frymë, është toka. Është disa qindra metra për frymë, sasia më e ulët tokë për frymë në Evropë.