Ja se si krimi i organizuar po luan një rol kyç në luftën e Ukrainës

Nga John P.Ruehl “Eurasia Riview”

Më 1 nëntor, zëvendësdrejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë e minimizoi rëndësinë e deklaratës së bërë më 30 tetor nga një zyrtar i agjencisë, i cili paralajmëroi se armët perëndimore të destinuara për në Ukrainë po kontrabandoheshin në Finlandë, Suedi, Danimarkë dhe Holandë.

Gjithsesi ky pohim tërhoqi një vëmendje të madhe mediatike dhe pasqyroi shqetësimet e mëparshme të shprehura nga autoritetet evropiane mbi cënueshmërinë e Ukrainës përballë krimit të organizuar dhe pasojat që do të ketë kjo për kontinentin evropian.

Krimi i organizuar u shfaq si një forcë e fuqishme në Ukrainë që pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Grupet kriminale shfrytëzuan të metat e mëdha të procesit të privatizimit për të grumbulluar një fuqi të konsiderueshme ekonomike, ndërsa rënia e aparatit sovjetik të sigurisë, i dha mundësi fraksioneve të armatosura kriminale që të zëvendësonin autoritetin qeveritar.

Këto zhvillime u pasqyruan në shumë ish-republika sovjetike gjatë viteve 1990, përfshirë Rusinë. Por pasi Vladimir Putin u bë president i vendit në vitin 2000, ai dhe aleatët e tij në komunitetin e inteligjencës ruse, rivendosën një aparat të fortë sigurie dhe shtypën shumë grupime ruse të krimit të organizuar, raporton albeu.com.

Por Kremlini zgjodhi që të mos i zhdukte plotësisht ato. Duke iu frikësuar pasojave nga shtypja e mëtejshme e tyre, Putin u përpoq që ta konsolidonte pushtetin e tij, dhe të mos  rrezikonte rikthimin tek destabiliteti që e karakterizoi Rusinë në vitet 1990. Për më tepër grupet kriminale mund t’i ofronin Moskës një mundësi unike.

Duke mbyllur njërin sy për shumë nga aktivitetet e tyre dhe duke legjitimuar pasurinë dhe bizneset e tyre, Kremlini fitoi qasje në skemat e paligjshme të fitimit, rrjeteve të gjera të kontrabandës, fuqisë punëtore dhe shërbimeve të tjera të paligjshme. Ndërkohë, Kremlini e zgjeroi bashkëpunimin me grupet kriminale në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik.

Në juglindje të Ukrainës, ku ka qenë më i përqendruar aktiviteti kriminal, drejtues të shërbimeve sekrete ruse kanë kultivuar për dekada marrëdhënie me shumicën e grupeve kriminale të nivelit të lartë në Krime, që për të mbijetuar varen nga marrëdhëniet me rrjetet kriminale ruse.

Krimi i organizuar në Ukrainë kishte evoluar ndjeshëm kur Putin u ngjit në krye të Rusisë. Në vitin 2006, një kabllogram i ambasadës amerikane thoshte se kriminelët e Krimesë ishin “në thelb të ndryshëm nga ata të viteve 1990: Dikur ishin “banditë” të veshur me tuta sportive me pistoleta nëpër duar, që i dhanë Krimesë reputacionin e “Siçilisë ukrainase” dhe që përfunduan në burg ose u vranë. Tani ata po merrshin me biznese kryesisht të ligjshme si dhe me qeverisjen vendore”.

Këto zhvillime i dhanë mundësi Rusisë që të merrte shpejt kontrollin politik të Krimesë kur forcat ruse e pushtuan atë në vitin 2014. Dhjetëra politikanë pro-rusë të zgjedhur në zyrat politike të Krimesë, përfshirë kryeministrin e Krimesë Sergei Aksyonov dhe kryetarin e Parlamentit Vladimir Konstantinov kishin lidhje të dyshuara me krimin e organizuar.

Në rajonin e Donbasit “dendësia e kriminalitetit, e kombinuar me dobësinë e institucioneve lokale” i lejoi grupet kriminale të grumbullonin një fuqi të madhe ekonomike dhe politike pas rënies së BRSS. Por pas nisjes së disa luftërave në rajon, së bashku me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, grupet kriminale në Donbas siguruan pjesën më të madhe të fuqisë punëtore për grupet militante të sapokrijuara dhe u përpoqën të rekrutonin njerëz të tjerë në rajonet fqinje të Ukrainës për të rrëmbyer armët kundër forcave qeveritare.

Pavarësisht dendësisë së tyre më të lartë në Krime dhe Donbas, grupet kriminale të mbështetura nga Rusia po veprojnë aktualisht në të gjithë Ukrainën dhe rajonin e Detit të Zi. Kërcënimi i tij vetëm sa është rritur që nga pushtimi i Rusisë në shkurt. Në përgjithësi konfliktet priren ta dobësojnë kapacitetin shtetëror, apo aftësinë e qeverive për të funksionuar siç duhet, duke i dhënë mundësi grupeve të krimit të organizuar që të rrisin fuqinë dhe ndikimin e tyre, raporton albeu.com.

Kremlini e ka zgjeruar përdorimin e kriminalitetit për ta dobësuar Ukrainën dhe për të forcuar pozitat e tij në fushën e betejës. Ndërsa raportet për grupet kriminale ukrainase që po kontrabandojnë armë perëndimore nga Ukraina janë nënvlerësuar në mënyrë të vazhdueshnme, kjo është në interesin e qeverisë ruse që të zbehë efektivitetin e ndihmës ushtarake perëndimore.

Për më tepër, shumë armë të kontrabanduara me sukses nga Ukraina ka të ngjarë të përfundojnë në Evropë. Dhe armët e ardhura nga Evropa Lindore që janë përdorur në disa sulme terroriste gjatë dekadës së fundit. Në prill, zyrtarët ukrainas e akuzuan Rusinë për kontrabandë armësh në Ukrainë nga rajoni separatist moldav i Transnistrias, në një përpjekje për të armatosur aleatët lokalë, si dhe për përdorimin e kontrabandistëve për të sjellë armë dhe teknologji ushtarake të sanksionuara për ushtrinë ruse nëpërmjet Gjeorgjisë.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore dhe të zbatimit të ligjit që folën me “VICE World News”, sanksionet ekonomike e kanë detyruar Kremlinin të zgjerojë aktivitetet e tij kriminal. Një raport i Institutit Ndër-rajonal të Kërkimit të Krimeve dhe Drejtësisë të OKB-së përmendi një incident të prillit 2022 ku “zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë ukrainase akuzuan një ukrainas për ndihmën e dhënë ndaj një biznesi rus për të pastruar paratë duke përdorur një kompani qipriote, duke regjistruar llogaritë e tyre në një bankë private në Ukrainë”.

Ndërkohë, një ngarkesë metalike me vlerë më shumë se 3 milionë dollarë u kap para se të mund të largohej nga një port në rajonin e Odesës. Zyrtarët e NATO-s dhe BE-së besojnë se një rrjet i madh i kontrabandës së duhanit në Belgjikë, i zbuluar në shtator, u sponsorizua nga shërbimi sekret bjellorus dhe rus për të mbledhur fonde për operacionet e tyre përballë sanksioneve perëndimore.

Po ashtu, industritë ruse dhe bjelloruse të kontrolluara nga shteti, e kanë rritur bashkëpunimin me grupet kriminale për të eksportuar naftë, gaz dhe mallra të falsifikuara për të anashkaluar sanksionet. Që nga fillimi i pushtimit rus, zyrtarët evropianë të sigurisë kanë vënë re një shtim të trafikut së drogës në Evropë përmes rrugës veriore nga Afganistani përmes Azisë Qendrore dhe Rusisë, me gjasë për shkak të lehtësimit të kufizimeve nga Moska për këto aktivitete.

Taksimi i trafikut të drogës i jep mundësi Kremlinit të grumbullojë para. Por ashtu si me armët, edhe vërshimi i drogës në Evropë krijon problemet e veta. Gjykatat, burgjet, spitalet dhe institucionet e tjera shtetërore dhe sociale mund të mbingarkohen nga flukset e shtuara të drogës, ndërkohë që shpërndarja nxit aktivitetin kriminal lokal.

Edhe pse shpeshherë inovativ, përqafimi i krimit të organizuar nga Kremlini nënvizon ndjenjën e dëshpërimit që ka sot Rusia si vendi më i sanksionuar në botë. Gjithsesi ajo paraqet një sfidë më të madhe se shtetet e tjera që ndodhen në sanksione si Venezuela, Irani apo Koreja e Veriut, raporton albeu.com

Ekonomia e saj relativisht e madhe, e industrializuar, burimet natyrore, kufijtë e gjerë dhe integrimi ekonomik me Euroazinë e bëjnë shumë më të vështirë izolimin e saj. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me krimin e organizuar do të jetë thelbësor për Rusinë për të mbrojtur ekonominë e saj dhe për të zgjatur luftën e saj në Ukrainë.

/albeu.com

 


Shtuar 21.12.2022 08:42