E FUNDIT/ Rritet ndjeshëm numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri

Shkon në dhjetë numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri.

Analizat kanë konfirmuar prekjen e katër personave të tjerë.

Mësohet se të prekurit janë kontakte të dy personave të parë, babë e bir nga Tirana, të cilët u konfirmuan pozitivë dy netë më parë.

Të dhënat u bënë publike nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rrakacolli.
Ajo u shpreh se katër rastet e reja janë kontakte të dy personave të konstatuar si të parët që u konfirmuan me koronavirus.

“ISHP ka kryer 114 teste, nga të cilat 10 kanë rezultuar pozitive. Gjashtë nga personat që kanë dalë pozitivë janë kontakte të dy personave të parë (babë e bir sh.r), ndërsa një rast është një i ri i kthyer nga Italia dhe një tjetër gjendet i shtruar në spitalin e Durrësit”, tha zv.ministrja.

Rrakacolli tha se duhen shmangur kontaktet e panevojshme dhe mbledhjet.

“E theksoj shumë karantinimin e detyrueshëm. Është shumë i rëndësishëm sepse jep disa gjëra të mira. Shmang kontaktet e këtyre njerëzve dhe duhet të merren masat. Nuk po zbatohen masa. Kemi njerëz në kafene e restorante shumë, të kufizojmë transportin publik. Të shmangim daljet e panevojshme nga shtëpia. Duhet të evituar transportin publik, udhëtimet ndërkombëtare. Nëse marrim këto masa, i kemi strukturat për të përballuar çdo lloj situate. Sistemi është në këmbë por sjellja nuk është në përputhje me panikun. Ulemi në kafene dhe diskutojmë për Covidin“-tha zv.ministrja. /albeu.com


Shtuar 10.03.2020 11:36