SHBA masa për të shmangur pasojat pas falimentimit të bankës “Silicon Valley”

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara po marrin masa urgjente për të forcuar besimin në sistemin bankar dhe për të shamgnur një krizë më të gjerë financiare, pas falimentimit të bankës “Silicon Valley”.

Falimentimi i papritur i bankës “Silicon Valley” solli reagimin e menjëhershëm të autoriteteve amerikane, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur përhapjen e pasojave të dështimit më të madh bankar që nga viti 2008.

Përmes masave për të ruajtur besimin në sistemin bankar, administrata e Presidentit Biden veproi për të mbrojtur depozitat në bankën që falimentoi.

Rregullatorët thanë se klientët do të kenë qasje të plotë në depozitat e tyre duke filluar nga e hëna – ku përfshihen miliarda dollarë të pasiguruara – dhe se do të krijojnë një strukturë të re për t’u dhënë bankave qasje në fondet e urgjencës.

Banka “Silicon Valley” ishte huadhënësi kryesor i kompanive të reja, kryesisht në sektorin e teknologjisë, gjatë dekadave të fundit të karakterizuara nga interesa rekord të ulta, por duke e ekspozuar bankën ndaj disa rreziqeve unike.

Falimentimi i bankës të premten, shkaktoi panik dhe pasiguri në fundjavë, mes pikëpyetjesh nëse bizneset e vogla do të ishin në gjendje të paguanin punonjësit e tyre, ndërsa Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave garanton vetëm depozitat deri në 250 mijë dollarë.

Të dielën, rregullatorët mbyllën një bankë tjetër – atë “Signature” në Nju Jork.

Profesori në Universitetin Amerikan, Gerard Cimizio, tha se të dyja rastet do të kenë pasoja politike.

“Ideja se ka dy dështime bankare, duke përfshirë një që është dështimi i dytë më i madh në historinë bankare, do të ketë disa pasoja dhe unë pres që të ketë seanca dëgjimore në Kongres”, tha ai.

Banka Qendrore e SHBA, që njihet si Rezervat Federale dhe Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, thanë në një deklaratë se klientët e këtyre bankave nuk do të humbasin asnjë sasi nga depozitat në këto dy banka, pa dëmtuar taksapaguesit./VOA/


Shtuar 13.03.2023 15:56