U qëllua 27 herë me thikë në varreza, kush janë dy të arrestuarit për vrasjen e Regis Runajt

Regis Runaj i cili u masakrua pranë varrezave të qytetit të Elbasanit në 29 korrik është vrarë nga dy persona me të cilët ka qenë duke konsumuar lëndë narkotike.

Ata më pas kanë ecur në drejtim të varrezave ku e kanë qëlluar viktimën 27 herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në pranga janë vënë Xhuljano Hoxha, 29 vjeç dhe Eugen Halili, 23 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Sipas policisë dy autorët, janë të përfshirë edhe në vrasjen e ndodhur 10 ditë më parë ku u ekzekutua me armë zjarri Emiljano Ramazani, mik me Regis Runajn.

“Nga veprimet hetimore dhe profesionale të kryera ka rezultuar se viktima R. R., mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy autorëve të dyshuar dhe pasi kanë konsumuar lëndë narkoitke, në një park në afrësi të varrezave të qytetit, janë drejtuar për në qytetin e Elbasanit.

Në afërsi të varrezave, shtetasi E. H. e ka goditur shtetasin R. R., një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Gjatë periudhës hetimore, nga grupi hetimor janë gjetur dhe sekuestruar prova shkencore që provojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një motomjet, në të cilin u gjetën njolla gjaku, të cilat pas egzaminimit në laboratorin shkencor rezultuan se i përkasin viktimës, si dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera ligjore”, njofton policia.


Shtuar 8.08.2020 11:51