Muller “thumbon” Messi-n pas eliminimit nga Champions: Ronaldo ishte problemi ynë kur luante për Real Madridin

Thomas Muller nuk i kursen asnjëherë komentet për kundërshtarët e tij dhe Barcelona ka qenë një nga “viktimat” e preferuara të gjermanit.

Me Barçën ai e ka bërë tashmë në të kaluarën dhe këtë herë ishte radha e Leo Messit, i cili nuk luan  më për katalanasit, por u eliminua nga Bayern dje në Champions League.

Mesfushori gjerman ka bërë menjëherë pas eliminimit të PSG-së në 1/8 e Champions League, një koment duke aluduar për sulmuesin argjentinas. Dhe ai e bëri këtë duke dashur t’i referohej se sa i mirë është në lojën kundër tij, sepse ai gjithmonë fiton.

“Kundër Messit, gjërat shkojnë gjithmonë shumë mirë në aspektin e rezultateve në të gjitha nivelet”, tha Müller për shtypin gjerman.

Ai shkoi më tej kur e krahasoi atë me Cristiano Ronaldon: “Në klub, Cristiano Ronaldo ishte problemi ynë kur luante për Real Madridin”.

Për ta rregulluar, ai tha më pas: “Ndjej respektin më të madh për Messin dhe Kupën e Botës që ai fitoi”.


Shtuar 9.03.2023 14:18