Vuçiç i bindur: Nuk ka shans që të lejojmë Kosovën në OKB

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se nuk ka shanse që Beogradi të pranojë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, Serbia do të ketë probleme edhe nëse e pranon ose refuzon që Kosova të anëtarësohet në OKB.

“Nëse ne pranojmë, nuk do të jeni në gjendje që të na largoni ndonjëherë nga OKB-ja. Nëse nuk pranojmë, ne do të izolohemi. Gjithçka ka pasojat e veta”, tha Vuçiç më 19 shtator.

Presidenti i Serbisë tha se gjatë vizitës në Beograd të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, atij iu ofrua një dokument, por ai refuzoi që ta pranonte.

“Të them se gjithçka e publikuar [në portalin AlbanianPost] është e saktë, nuk mundem. Nuk më kujtohet gjithçka që ishte shkruar në ato katër faqe. E kam ditur se nuk duhej ta pranoja atë dokument”, tha Vuçiç, duke thënë se pala serbe nuk e ka nxjerrë në publik këtë dokument.

Gjatë fundjavës u publikua një dokument që thuhej se ishte “korniza e re” e propozuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të këtij procesi. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë.

Ndryshe, Vuçiq do të marrë pjesë në mbledhjen e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në Nju Jork më 23 shtator. Ai do të mbajë një fjalim më 21 shtator gjatë një debati të liderëve botërorë./REL/