Plumb pas plumbi! Si po e eliminojnë armikun snajperistët ukrainas

Nga Alistair MacDonald & Daniel Michaels “Wall Street Journal

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Hrodivka, Ukrainë – Lufta në Ukrainë është një kasaphanë e vërtetë që kryhet prej artilerisë, raketave dhe fushave të minuara. Vrapimi në heshtje duke injoruar gjithçka që ndodh përreth është një test i vërtetë në fushëbetejë për snajperistët që luftojnë me një të shtënë pas tjetrës.

Rreth 24 km larg vijës së frontit, pranë Bakhmut, 3 snajperë ukrainas dolën fshehurazi nga llogoret. Ekipi që e quan veten “Djajtë dhe Engjëjt”, ka marrë urdhër të vrasë komandantët e lartë rusë, pjesëtarët kyç të ekipeve të artilerisë dhe objektiva të tjerë të profilit të lartë.

Lufta në Ukrainë është një terren pjellor për snajperët. Ajo të kujton Luftën e Parë Botërore, me vijën e saj të gjatë të frontit kryesisht statike, dhe me qitjet në një peizazh në përgjithësi të sheshtë. Snajperistët që stërviten pranë Bakhmut janë më të mirët, por ata po përmirësojnë edhe një aftësi tjetër, e cila është edhe më e rëndësishme për ta:lëvizjen pa u diktuar.

“Ne punojmë në heshtje, jemi të padukshëm”-na thotë një anëtar i këtij ekipit, që njihet, e nofkën Fisher. Ndërsa Kievi po synon të ndryshojë ekuilibrat me kundërsulmin e tij të vazhdueshëm, po evoluon edhe roli i snajperëve.

Minat ruse i bëjnë më të vështira lëvizjet e një snajperisti në atë që quhet edhe “toka e askujt”, pra hapësira midis 2 llogoreve armike. Ndërkohë dronët e bëjnë edhe më të vështirë fshehjen. Stërvitja e snajperistëve kërkon disa javë kohë, të cilat Ukraina nuk duhet t’i kursejë.

Ukraina – ashtu si ushtritë në Perëndim – po shton numrin e gjuajtësve të mirë, që nuk kanë shumë trajnim teknik sesa snajperistët elitarë, për të mbështetur trupat e zakonshme të këmbësorisë. “Gjuajtjet me snajper nuk mund ta fitojnë një luftë. Por një goditje e mirë mund të ndryshojë një situatë në një moment të caktuar në një linjë të caktuar të frontit”- thotë Ruslan Shpakovych, ish-snajperist i forcave speciale ukrainase që tani trajnon ushtarët për këtë pozicion.

Gjuajtja në befasi është jetike, pjesërisht sepse snajperët bëjnë më shumë sesa vetëm vrasja e objektivave nga një distancë e largët. Ata kryejnë edhe operacioni zbulimi, dhe kur gjuajnë synimi i tyre është të tronditin dhe demoralizojnë trupat e armikut, duke mbjellë kaos, që është armiku më i keq çdo ushtrie.

“Nëse po përgatiteni të sulmoni dhe togeri juaj vritet, njësia zhytet në kaos”- thotë gjeneralmajori i ushtrisë amerikane në pension, Robert Scales, sot një historian ushtarak.

Ushtria ruse është e varur nga oficerët për udhëheqje, pasi s’ka një trupë nënoficerësh, apo ushtarë që të ngrihen në pozita udhëheqëse, siç ndodh në ushtritë perëndimore dhe gjithnjë e më shumë në radhët e ushtrisë ukrainase.

Shpeshherë oficerët rusë mund të identifikohen që nga larg nga uniformat e tyre, madje edhe nga çizmet e tyre. Dikur Bashkimi Sovjetik i ngriti snajperistët e tij në statusin e heroit të luftës. Lyudmila Pavlichenko e lindur në Ukrainë, u mbiquajt “Zonja Vdekja” nga autoritetet sovjetike për numrin e madh të vrasjeve që kreu gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një snajperist tjetër i famshëm, Vasily Zaitsev, fitoi disa nga medaljet më të larta të Bashkimit Sovjetik gjatë Betejës së Stalingradit. Edhe tani, mediat ruse dhe kanalet zyrtare lavdërojnë snajperistët rusë që janë të angazhuar në Ukrainë. Luftërat urbane, si ato Stalingrad dhe Bakhmut, janë terrene të përkryera për snajperistët.

“Por snajperistët bëhen shumë më të rëndësishëm kur stabilizohen linjat e frontit, siç kanë ndodhur në shumë raste muajt e fundit në Ukrainë”- shprehet Mark Cancian, këshilltar në Programin Ndërkombëtar të Sigurisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Linjat e qëndrueshme të frontit u japin mundësi snajperistëve të fshihen mirë”-shton ai. Snajperizmi modern u zhvillua midis trupave gjermane dhe britanike përgjatë linjave statike të llogoreve të Luftës së Parë Botërore. Llogore të ngjashme tani shtrihen në frontin e Luftës në Ukrainë, dhe ashtu si një shekull më parë, ushtarët që ngrihen në këmbë mbi llogore mund të vriten në çast nga snajperët.

Terreni kryesisht fushor i Ukrainës me kodrat e buta, ofron një fushëpamje të qartë,gjë që  është një “parajsë për snajperistët” thekson Scales. Zakonisht ata punojnë në ekipe prej 2 vetësh. Njëri zakonisht shërben si vëzhgues, duke llogaritur distancën, shpejtësinë e erës dhe variabla të tjerë që mund të ndikojnë tek një goditje.

Kur njëri fle, tjetri ruan. Udhëtimet në “tokën e askujt” mund të zgjasin deri në 9 ditë, edhe pse zakonisht zgjatin rreth 1 ditë e gjysmë, gjatë së cilës snajperistët shkëputen nga njësia e tyre, thanë anëtarët e “Djaj dhe Ëngjëj”. Njësitë e këmbësorisë i mbështesin ata nga larg, duke siguruar zjarrin mbulues nëse është e nevojshme.

Snajperistët furnizojnë me informacione shumë të rëndësishme komandantët e njësive. Asnjë sulm i fshehtë i armikut, nuk duhet të tejkalojë një skuadër snajperësh të stërvitur  “sepse ata mund ta dallojnë atë duke ardhur, mund të qëllojnë mbi të, dhe të orientojnë artilerinë drejt tij”- deklaron Shpakovych, që stërvit snajperistët për llogari të “Kthehu Gjallë”, një organizata bamirëse ukrainase që mbledh para për të trajnuar dhe pajisur forcat lokale.

Një snajperiste me pseudonimin Qyqja, që disa kohë më parë kaloi 3 ditë e bllokuar në një pritë, thotë kur është në front mendon vetëm momentin dhe jo për jetën në shtëpi. me profesion gazetare para pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë vitin e kaluar, 32-vjeçarja lufton aktualisht në Brigadën e 47-të në Zaporizhzhia.

Kjo pjesë e vijës së parë ka përjetuar disa nga betejat më të ashpra të një kundërofensivë, e cila është e bllokuar nga minat, fortifikimet dhe sulmet e rusëve me helikopterë. Një kombinim i atyre pengesave – që pengojnë edhe përparimin e snajperistëve – dhe koha e nevojshme për të trajnuar snajperët, e ka nxitur Kievin të vendosë në front një lloj gjuajtësi që përdoret gjithnjë e më shumë nga SHBA:ata që lëvizin së bashku me këmbësorinë e zakonshme, shpesh duke mbajtur pushkë me fuqi më të madhe, për të zgjedhur objektivat më të largët.

Snajperistët e aftë, janë treguar veçanërisht të dobishëm në luftimet mbi qytetin e kontestuar të Bakhmut. Në luftimet e afërta, ata ndihmuan në zmbrapsjen e valëve të pamëshirshme të trupave të milicisë ruse Wagner, thotë Andriy Chernyak, një zyrtar i HUR, shërbimi sekret i ushtrisë.

Sepse në një distancë kaq të shkurtër, artileria jonë rrezikon të godasë ushtarët ukrainas, thotë ai. Shpakovych thekson se snajperistët janë mësuar me suksese të ndryshme në Ukrainë, në varësi të njësisë. Ukraina nisi trajnimin e duhur të snajperëve të saj vetëm në vitin 2013, dhe duhen disa vite dhe shumë pajisje të sofistikuara për të pasur një brigadë të mirë.

Por Shpakovych e pranon se Rusia ka më shumë snajperistë dhe të pajisur më mirë. Në nëntor 2022, forcat e armatosura ukrainase thanë se një nga snajperët e tyre të Forcave Speciale qëlloi dhe vrau “një pushtues” nga një distancë prej 2700 merash, gjuajtja e dytë më e largët e regjistruar ndonjëherë.

Snajperistët thonë se ata janë të angazhuar në rolet që janë më të vështira për t’u përsosur. Zakonisht kurset e trajnimit kanë një shkallë të lartë dështimi. Kursi fillestar i trajnimit për të qenë një snajperist në Ukrainë zgjat një muaj e gjysmë.

“Fisher” thotë se u zgjodh sepse kishte qenë gjuetar në vendlindjen e tij në Krime, duke qëlluar lepuj, fazanë dhe drerë. Dy snajperistët e tjerë thonë se nuk e dinë pse u zgjodhën. Një nga ekipi ka qenë magjistar profesionist, dhe i pëlqen ende të praktikojë truket e zhdukjes me letra dhe cigare me pjesën tjetër të ekipit.

Durimi dhe fshehtësia janë jetike në këtë rol. Në terrenin stërvitor në Ukrainë, snajperistët zhduken nëpër shkurre, dhe iu thuhet të fshihen brenda një rrezeje prej 15 metrash. Instruktori u përpoq ti gjente dhe nuk ia doli, ndërsa një dron fluturonte sipër duke i kërkuar.

Snajperimi kërkon gjithashtu një profil të veçantë psikologjik. Ndërsa shumica e ushtarëve shkojnë në betejë duke e ditur se mund të detyrohen të qëllojnë dhe vrasin, ata jo gjithmonë synojnë të marrin jetë njerëzish. Në vend se të vrasin, ata mund të imponojnë një tërheqje ose dorëzim, ose thjesht të plagosin ushtarët armiq.

Shumë ushtarë mund të kalojnë ditë ose javë pa hasur kundërshtarë, dhe mund të mos shohin kurrë fytyrën e një armiku. Ndërkohë snajperët, nisen gjithmonë me synimin për të vrarë ushtarët armiq, të cilët mund t’i shohin qartë, dhe në përgjithësi kanë pak dyshime nëse kanë vrarë apo jo dikë.

Tre snajperistët që po stërviten na thanë se kishin vrarë më parë, megjithëse nuk pranuan të thoshin numrin e saktë. Edhe snajperistja me pseudonimin Qyqja, refuzoi të tregonte sa rusë kishte vrarë, por theksoi se donte të vriste edhe më shumë. Asnjë nga snajperistët nuk ka shumë ndjeshmëri për objektivat e tyre pas tërheqjes së këmbëzës.

Shumë prej tyre kanë humbur në luftë shokë të ngushtë. Nga ekipi origjinal prej 26 anëtarësh i “Ëngjël dhe Djaj”, kanë mbetur vetëm 14.

Një snajperist dhe një pjesëtar mbështetës i këmbësorisë u vranë, ndërsa pjesa tjetër u plagos. “Unë nuk i shoh fytyrat, as emocionet e tyre, as fotot e grave apo ndonjë gjë tjetër të jetës së tyre. Unë shoh vetëm figura që lëvizin dhe qëlloj”-thotë snajperistja ukrainase. /albeu.com


Shtuar 31.08.2023 09:42

Tags: