Rikthimi te Manchester United, Pele i dërgon mesazh Ronaldos

Futbollisti legjendar brazilian Pele ishte ndër të famshmit që uruan Cristiano Ronaldon për kthimin e tij tek  Manchester United.

Tri herë fituesi i Kupës së Botës i dërgoi një mesazh yllit portugez në Instagram.

“Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të pushtosh botën dhe të kthehesh në shtëpi. Ji gjithmonë i lumtur, Cristiano,” shkroi Pele.

Shumë shpejt erdhi dhe përgjigja e Ronaldos.

“Është gjithmonë bukur të kthehesh në një shtëpi, ku kam qenë gjithmonë i lumtur. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj,” u përgjigj Ronaldo.

Kujtojmë, lajmi se 36-vjeçari Ronaldo po kthehet në Old Trafford befasoi të gjithë tifozët e futbollit, dhe veçanërisht i gëzoi tifozët e Manchester United.

Në ditët e fundit të merkatos, nisi dhe historia e transferimit të 36-vjeçarit tek Manchester City, por në 24 orët e fundit pati një kthesë dramatike dhe Ronaldo vendosi të kthehej në Old Trafford ku luajti nga 2003 deri në 2009.


Shtuar 1.09.2021 14:08