VIDEO/ Parandalohet ngjarja kriminale në Pogradec, arrestohet 49-vjeçari që ishte bërë gati për vrasje

Policia e Pogradecit ka parandaluar një ngjarje kriminale dhe ka vënë në pranga një 49-vjeçar.

Ky i fundit ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ndërhyrja” u arrestua në flagrancë shtetasi 49 vjeçari, banues në Pogradec, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Gjatë operacionit, në lagjen nr. 1, Pogradec, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin dhe gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, kanë gjetur një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi, u gjetën sasi parash në valuta të ndryshme, një shkop bejsbolli, një palë dylbi dhe një aparat celular.

Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./Albeu,com.


Shtuar 10.07.2023 15:12