Kryeministrja e Lituanisë: Nëse Rusia nuk mposhtet në Ukrainë, do të sulmojë me siguri një vend tjetër

Nga Owen Matthews “The Spectator”

Përktheu Alket Goce – AlbEu

Në korrik kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, do të mirëpresë liderët e NATO-s në Vilnius për një nga samitet më të rëndësishme në historinë e aleancës. Në krye të axhendës do të jetë mënyra se si të ndihmohet Ukraina që të dëbojë nga vendi forcat e Vladimir Putinit.

Por një problem më i mprehtë do të jetë nëse do t’i ofrohet zyrtarisht Ukrainës anëtarësimi në aleancës, një lëvizje që do ta bënte atë vijën e parë të NATO-s në kufi me Rusinë.

Simonyte beson se lufta mund të ishte shmangur nëse NATO do të kishte pranuar Ukrainën dhe Gjeorgjisë që në vitin 2008.

Në fakt, vetëm në samitin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar, Rusia u shpall zyrtarisht “një kërcënim dhe jo thjesht një rival”. Vendet baltike nuk kanë pasur ndonjëherë iluzione të tilla për qëllimin armiqësor të Rusisë. “Pushtimi i Ukrainës po përgatitej prej vitesh”- thotë Simonyte.

Për Putinin “ndërtimi i prosperitetit, përpjekja për të rritur mirëqenien e njerëzve është paksa e lodhshme… për të është më e lehtë t’u japësh njerëzve një zëvendësues për përparimin,
për shembull madhështinë e kombit tënd”. Dhe për Rusinë tani, po ashtu edhe historikisht, madhështia nuk përkufizohet në termat e “arritjeve shkencore apo ekonomike, por duke kontrolluar njerëzit përreth jush”.

I tillë ishte edhe koncepti i Perandorisë Ruse dhe i tillë është ende sot koncepti i elitës ruse.

Simonyte kundërshton me forcë sugjerimet se Perëndimi ose Volodymyr Zelensky mund të kishin bërë diçka ndryshe për të shmangur luftën.

“Justifikimi i zakonshëm që përdor Putin, është se ishte NATO që po zhvendosej drejt lindjes, duke e dëbuar Rusinë nga Perëndimi. Por kjo është e pakuptimtë, sepse nuk ka pasur asnjë prezencë reale të NATO-s (forcave në Baltik) derisa ai pushtoi Krimenë.

Ne ishim anëtarë të NATO-s. Por debati për çdo dislokim forcash në rajon ishte shumë i ndërlikuar… Vetëm pas vitit 2014 u vendos një prani e zgjeruar e trupave të aleancës në shtetet baltike. Në fakt ishte Putin, ai që bëri gjithçka që fqinjët e tij të ndiheshin të pasigurt dhe natyrisht të kërkonin garanci sigurie. Dhe kjo është NATO”- thekson kryeministrja lituaneze.

Lituania dërgoi ndihma ushtarake në Ukrainë shumë kohë para se këtë ta bënte shumica e aleatëve të saj të NATO-s. Por ndërsa Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë të madhe që ka të ngjarë të përcaktojë fundin e luftës, si do të duket fitorja?

Në këtë pikë, vizioni i Simonyte përputhet saktësisht me vizionin e Zelensky: “Rusiatë dëbohet nga i gjithë territori i Ukrainës, të dalin para drejtësisë fajtorët dhe të financohet rindërtimi i vendit nga ata që janë fajtorë për shkatërrimet”.

Po nëse nuk ndodh asnjëra nga këto? “Atëherë nuk do të ketë paqe në Evropë”- përgjigjet ajo. Por disa udhëheqës të vendeve të NATO-s – dhe një numër gjithnjë e në rritje i votuesve evropianë – janë të kujdesshëm ndaj mbështetjes së pafundme për një luftë, për
të cilën Zelensky paralajmëroi javën e kaluar se mund të zgjasë për “dekada”.

Për shembull, sondazhet e fundit në Itali, sugjerojnë se vetëm 1/3 e votuesve janë dakord
me vazhdimin e furnizimit me armë për Ukrainën. Deri më tani, këmbëngul Simonyte, mbështetja e NATO-s për

Ukrainën është aq e fortë sa ishte një vit më parë. Gjithsesi, ajo e pranon se në shumë vende ka debate midis aktivistëve të paqes – që mbështesin zgjidhje në kurriz të humbjeve territoriale për Ukrainën – dhe atyre që mbështesin një drejtësi të plotë për këtë vend.

“Disa nga njerëzit thonë se jemi të lodhur nga kjo luftë. Në rregull. Askush nuk tha se kjo luftë do të ishte e këndshme. Por nëse nuk mposhtet Rusia në Ukrainë, atëherë do të jetë vetëm çështje kohe para se ajo të rigrupohet, të riarmatoset dhe të sulmojë një vend tjetër”- deklaron ajo.

A ka ndonjë skenar për ta dëbuar plotësisht Rusinë nga e gjithë Ukraina – përfshirë Krimenë – që mund të llogaritet gjithashtu si fitore? Simonyte përgjigjet se kjo varet nga Ukraina, por ajo vetë e sheh shumë pak të mundshme që Kievi të dorëzojë një pjesë të territorit në këmbim të çdo lloj marrëveshje për paqe.

Sa i përket marrëdhënieve të ardhshme me Rusinë e pasluftës, Simonyte sheh njëfarë shprese se në qeverinë ruse ka “njerëz praktikë që e kuptojnë se kjo luftë nuk ka kuptim”, por ata nuk janë “brenda rrethit të vendimmarrjes”.

Kryeministrja lituaneze nuk sheh asnjë problem me sulmet e dukshme të Ukrainës kundër bazave të depozitimit të naftës dhe trenave të mallrave brenda Rusisë. Madje edhe me sulmin me dron në Pallatin e Senatit në Kremlinit.

“Rusia është në luftë. Megjithëse e di që ata pretendojnë se nuk janë në luftë. Është një gabim i madh të mendosh se nëse je në luftë me një vend tjetër, atëherë lufta është vetëm në vendin tjetër. Edhe nëse mbani parada, festivale, njerëzit rrinë nëpër kafene dhe duket sikur gjithçka vazhdon normalisht, kjo nuk është e vërtetë.

A beson ajo se shkatërrimi i 4 tubacioneve të gazit të “Nord Stream”, që kalojnë pranë brigjeve të Lituanisë në shtator 2022, është bërë nga profesionistë të pavarur ukrainas, siç kanë sugjeruar raportet e fundit? “Nëse më pyesni se kush do të përfitonte nga shkatërrimi i këtij gazsjellësi, unë do të thoja se janë rusët. Sepse mund të fitojnë jo pak në gjyqet e arbitrazhit për mos dërgimin e gazit në vendet evropiane, sepse ka ende kontrata që janë të detyrueshme… Por unë nuk kam shumë informacione. Ndaj do të pres derisa të ketë një hetim formal dhe përfundime zyrtare”- thekson ajo.

Një ish-profesore e ekonomisë, ministre veterane dhe parlamentare, 48-vjeçarja Simonyte e udhëheq që nga viti 2020 vendin e saj prej 2.8 milionë banorësh. Ajo thotë se s’ka asnjë ndryshim të vërtetë në mënyrën se si udhëheqin burrat dhe gratë. Tre vitet e drejtimit të vendit janë shoqëruar më një sërë krizash: Covid-19, trazirat në Bjellorusinë fqinje që pasuan zgjedhjet presidenciale atje, dhe që u konsideruan gjerësisht si të vjedhura, dhe së fundmi pushtimi i Ukrainës.

Simonyte i ofroi udhëheqëses së opozitës bjelloruse në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, jo vetëm azil politik në Vilnius, por edhe njohje zyrtare si qeveria bjelloruse në mërgim. Kur deri në 1 milionë rusë ikën nga Rusia për shkak të represioni politik dhe mobilizimit ushtarak, disa mijëra prej tyre gjetën një shtëpi në Lituani, së bashku me një numër shumë më të madh ukrainasish.

Në Letoninë dhe Estoninë fqinje, rusët përfaqësojnë çerekun e popullsisë, disa prej të cilëve ankohen se ligjet e rrepta të aftësisë gjuhësore, i kanë degraduar ata në qytetarë të dorës së dytë. Vitin e kaluar autoritetet letoneze mbyllën në mënyrë të diskutueshme stacionin televiziv në gjuhën ruse Dozhd TV, dhe anuluan lejet e qëndrimit për stafin e tij, kryesisht me emigrantë, me arsyetimin e dyshimtë se kanali opozitar e mbështet në fakt ushtrinë ruse.

Deri më sot Lituania ka qenë relativisht e imunizuar nga këto luftëra kulturore, pjesërisht sepse vetëm 7 për qind e qytetarëve janë rusë etnikë. “Rreth 10 për qind e popullsisë sonë mendon se Lituania ishte më mirë nën sovjetikët sesa në një shtet të pavarur. Por unë kam jetuar nën atë regjim për 15 vjet dhe e di që kjo është një ide krejtësisht e rreme”- thotë kryeministrja.

Sipas saj rusët në Lituani nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ashtu si polakët, bjellorusët dhe hebrenjtë, edhe ata kanë shkollat e tyre në gjuhën amtare. Simonyte nuk e ka takuar personalisht Putinin. Por nuk është diçka që i mungon. Dhe meqë Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhrin e arrestit kundër tij për krime lufte, tani nuk ka gjasa që ta takojë ndonjëherë.

Por brenda pak javësh, ajo do të presë aleatët nga e gjithë bota perëndimore, të cilët e kanë kuptuar se Baltiku, me paralajmërimet e tyre të shpërfillura vazhdimisht për rreziqet e paraqitura nga Rusia, ndoshta ia vlen të dëgjohet.