Haradinaj: Marrëveshjet në interes të Serbisë, na duhet marrëveshje përfundimtare

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet hyrëse-dalëse. Ai tha se marrëveshjet një nga një janë në interes të Serbisë, për ta vonuar Kosovën.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj tha se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare që sipas tij, arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”, tha ai.

Haradinaj shtoi se tashmë ka ardh koha që dialogu të kalojë në një tjetër nivel dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës.

“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, tha Haradinaj.

Postimi i plotë:

Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit.

Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës.