Rama në “The Times”: Jo vulës etnike për problemet sociale

Mediat britanike vijojnë t’i bëjnë jehonë përplasjes mes Tiranës dhe Londrës për çështjen e emigrantëve të paligjshëm. Në një shkrim të gjatë të prestigjiozes “The Times”, Kryeministri Edi Rama këmbëngul se retorika e sekretares Braverman ishte “një sulm i llogaritur për të komunikuar me bazën e mbështetësve”.

“Kur u vë një vulë etnike problemeve sociale kjo e bën një grup etnik viktimë të urrejtjes dhe të të gjitha llojeve të gjërave të tmerrshme”.

Rama sjell shembullin e Gjermanisë që i trajtoi emigrantët me respekt dhe tha se ishte e gabuar të fajësoje shqiptarët për krimin e organizuar në Londër.

“Shqiptarët nuk e sollën krimin në Britani, ata gjetën krimin në Britani. Shqiptarët mund të jenë pjesë e tij, por në krimin e organizuar ka edhe britanikë dhe francezë”.

Rama shpjegon edhe arsyet e emigrimit drejt Britanisë së Madhe.

“Ekziston një mirëkuptim i qartë mes emigrantëve se Mbretëria e Bashkuar po vuan nga Brexit dhe duhet të plotësojë punë të vështira që fëmijët britanikë nuk janë të prirur t’i bëjnë në fabrika dhe bujqësi”.

Shkrimi citon edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj që kundërshton ata që flasin për “një pushtim kriminal”. “Nëse do të ishim një komb kriminelësh, do të kishte shumë histori për njerëz që grabiteshin në rrugët e Tiranës, por nuk ka”, thotë Veliaj. Një ditë më parë qindra shqiptarë protestuan në Londër duke kërkuar dorëheqjen e Sekretares Braverman për etiketimet ndaj tyre./Klan