Përfshirja në skandalin e inceneratorëve, Damian Gjiknuri: S’kam bredhur për qejf, udhëtimet e mia janë zyrtare

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, foli sot në ambientet e jashtme të Kuvendit  në lidhje me akuzat për inceneratorët, pasi emri i tij përmemdur në dosjen e Ahmetajt.

Gjiknuri tha se  të gjitha udhëtimet për të cilat ai akuzohet nga opozita se ka kryer me pronarët e incenratorëve, janë udhëtime zyrtare dhe të regjistruara në dikasterin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ai insistoi se nuk ka kryer kurrë shkelje ligjore.

Kujtojme se Prokuroria shqiptare ka gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto dy rezervime hotelesh në Vienë dhe Frankfurt për Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014, ndërsa ky i fundit i tha BIRN se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i incineratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret. I pyetur konkretisht nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri, Gjiknuri refuzoi të përgjigjej duke përsëritur: “Do jap sqarime në prokurori, nëse thirrem.”

Dosja e Prokurosisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuas, SPAK, rrodhi pjesërisht në media gjatë ditëve të fundit, pavarësisht kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani për të ruajtur sekretin hetimor përmes zhvillimit të debateve në Këshillin Parlamentar të Mandateve, Rregulloren dhe Imunitetet pas dyerve të mbyllura.

Në faqet 269-271 të dosjes që detajon gjetjet mbi hetimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe lidhjeve të tij me biznesmenët e incineratorëve, prokurorët vërejnë se kanë gjetur dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti Damian Gjiknuri. Prokurorët i paraqesin këto rezervime si prova për të treguar se të katërt mund të jenë takuar në Frankfurt.

Damian Gjiknuri: Qëndrimet i kam bërë publike në Komision Hetimor. Rast pas rasti gjithkush do përdorë emrin tim për të ngritur kauza politike. Udhëtimet e pretenduara, dy janë, ka dokumentacion përkatës, janë në dijeni, nuk kam pse bëj debat publik. Janë të deklaruara, nuk kam shkuar as për qejf e as s’kam bredh. Roli im si ministër nuk ka asnjë shkelje ligjore në asnjë procedurë. E kam shpjeguar rolin, nuk ka dalë dikush të citojë një shkelje ligji. Çdo ministër përgjigjet për atributin e zyrës që përfaqëson. Secili ministër e ushtron funksionin, këto janë ato që dua të them mos e bëni sikur po hetojmë pacientin zero. Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete. Me Arben Ahmetajn kamë bërë udhëtime, si koleg, si ministër. I keni faturat atje, keni gjithçka atje. Aty janë dokumentat, kur të thirrem do të jap shpjegimet. Kam zbatuar ligjin, akuzat politike ka vite që ngrihen ndaj meje, i kam sqaruar. Është shumë vapë tani dhe ju duheni këtu.

/albeu.com/