Pse Kina nuk është një superfuqi

Nga Jo Inge Bekkevold “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Fuqia në rritje e Kinës është faktori i vetëm më me ndikim i ndryshimeve gjeopolitike aktuale. Pavarësisht luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara e kanë identifikuar qartazi Kinën si sfidanten e saj kryesore. Në qershorin e vitit të kaluar, NATO e përfshiu për herë të parë Kinën në Konceptin e saj Strategjik, duke sinjalizuar kësisoj një ndryshim rrënjësor në këndvështrimin e sigurisë së bllokut.

Por sa e fuqishme është realisht Kina?

Matja dhe krahasimi i fuqisë ndërmjet kombeve dhe me kalimin e kohës, bart në rastin më të mirë jo pak pasaktësi. Megjithatë, ne mund të përftojmë një informacion të vlefshëm në lidhje me pozicionin aktual të fuqisë së Kinës nëse e krahasojmë atë me Shtetet e Bashkuara bashkëkohore dhe Bashkimin Sovjetik të epokës së Luftës së Ftohtë.

Në këtë rast duhet të kemi në konsideratë 3 koncepte të rëndësishme:polaritetin, hegjemoninë dhe përkufizimin origjinal se çfarë është një superfuqi. Një krahasim i tillë, zbulon se Shtetet e Bashkuara janë një pol, hegjemon rajonal dhe një superfuqi globale. Ndërkohë Bashkimi Sovjetik ishte një pol dhe një superfuqi, por nuk ishte një hegjemoni rajonale.

Dhe ndonëse Kina është një pol në atë që është tashmë një sistem bipolar SHBA-Kinë, ajo nuk është as një hegjemone rajonale dhe as një superfuqi globale. Ndërsa këto kategorizime mund të lexohen si nuanca abstrakte në një debat shkencor, ato kanë në fakt pasoja të mëdha dhe konkrete për strategjinë dhe politikën në shekullin XXI-të.

Polariteti është thjesht numri i fuqive të mëdha në sistemin ndërkombëtar. Metoda më e zakonshme për të përcaktuar se cilat fuqi llogariten si të mëdha, janë treguesit kryesorë: popullsia, madhësia territoriale, burimet e pajisura, aftësia ekonomike, fuqia ushtarake, stabiliteti politik dhe kompetenca e politikave.

Duke përdorur këta 7 tregues, ne mund të shohim se sistemi ndërkombëtar ka aktualisht një strukturë të dallueshme fuqie bipolare, me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara si dy pole, të ngjashme me rivalitetin SHBA-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Sa i përket fuqisë ekonomike, sistemi aktual është në fakt edhe më bipolar se sa gjatë Luftës së Ftohtë, sepse pasuria e përgjithshme ekonomike të Kinës pothuajse e barabartë me atë të Shteteve të Bashkuara. Nga ana e tjetër ekonomia sovjetike, nuk zinte asnjëherë më shumë se 50 për qind të ekonomisë amerikane.

Por në lidhje me fuqinë ushtarake, sistemi aktual ndërkombëtar është më pak bipolar se sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë, me një hendek aktual më të madh në fuqinë ushtarake midis Uashingtonit dhe Pekinit, sesa midis Uashingtonit dhe Moskës deri në vitin 1991.

Arsyeja kryesore për këtë hendek më të madh, është se Kina shpenzon një pjesë më të vogël të PBB-së së saj për mbrojtje sesa Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas teorisë së realizmit strukturor, numri i poleve në një strukturë pushteti, orienton sjelljen e fuqive të mëdha dhe rendin ndërkombëtar në një mënyrë shumë unike.

Një strukturë fuqie bipolare, pritet që t’i shtyjë të dy polet drejt një rivaliteti të madh, gjithëpërfshirës dhe të krijojë një ndarje të veçantë midis 2 blloqeve midis dy rivalëve dhe aleatëve të tyre përkatës. Një ndarje që shtrihet në çështje ushtarake, ekonomike etj. Kështu ndodhi gjatë rivalitetit SHBA-Sovjetik, dhe shohim të njëjtat shenja edhe sot.

Megjithatë, vetëm polariteti nuk na ofron tablonë e plotë të fuqisë së Kinës. Në dallim nga polariteti, i cili rrjedh nga fuqia dhe madhësia, konceptet e hegjemonisë dhe superfuqisë janë koncepte gjeopolitike që na japin informacion shtesë mbi shtrirjen dhe kufijtë e ndikimit të Kinës.

Termi “superfuqi” u krijua si koncept nga studiuesi amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ëilliam Fox në librin e tij “Superfuqitë” botuar në vitin 1944. Në kushtet

kur SHBA dhe Kina janë sot 2 shtetet dominuese në një strukturë fuqie bipolare, është e zakonshme që t’u referohemi të dyjave si superfuqi.

Por sipas përkufizimit origjinal të Fox, Kina nuk është një superfuqi. Studiuesi i ndau fuqitë e mëdha në dy kategori:superfuqi globale dhe fuqi rajonale. Sipas Fox, superfuqitë kanë një ndikim global dhe aftësinë për t’i angazhuar forcat e tyre të armatosura në çdo fushë-betejë të madhe të diktuar nga strategjia e madhe.

Nga ana tjetër, fuqitë rajonale, mund të gëzojnë prestigjin formal dhe ceremonial të statusit të fuqive të mëdha, por ndikimi i tyre është i madh vetëm në një konflikt të vetëm. Fox theksoi se vetëm një fuqi me një shtrirje të madhe territoriale, mund të jetë një fuqi në më shumë se sa një rajon të botës.

Në vitin 1944, Fox e përcaktoi ende Britaninë si një superfuqi për shkak të Komonuelthit dhe perandorisë së saj, por edhe aftësisë së saj për ta projektuar fuqinë  saj në të gjitha teatrot kryesore të botës, duke përfshirë një numër të madh trupash koloniale. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë shumë shpejt e qartë se Britania nuk ishte më as një pol dhe as një superfuqi.

Shtetet e Bashkuara janë padyshim një superfuqi globale, me një rrjet mbarëbotëror aleancash dhe bazash jashtë vendit, që i japin mundësi asaj të vendosë dhe zhvendosë me shpejtësi forcat midis teatrove të ndryshëm. Edhe Bashkimi Sovjetik ishte një superfuqi.

Megjithëse Moska nuk ishte asnjëherë në gjendje të krijonte një rrjet mbarëbotëror bazash ushtarake në një shkallë të ngjashme si Uashingtoni, pozicioni i saj në qendër të Euroazisë i dha mundësi të ndikonte në teatrot strategjike në Evropë, Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Azinë Lindore.

Nga fundi i Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik kishte gjithashtu një marinë me shtrirje globale. Ndërkohë Kina është aktualisht vetëm një fuqi rajonale. Ajo zotëron vërtet një fuqi dhe ndikim ekonomik global, por shtrirja gjeografike e ushtrisë së saj është kryesisht e kufizuar në Azi dhe Indo-Paqësor.

Nga pozicioni i saj në kufirin e Azisë Lindore, Kina ka një shtrirje gjeografike më të kufizuar në kontinentin Euroaziatik sesa Bashkimi Sovjetik i kohës së Luftës së Ftohtë, dhe më pak qasje në det të hapur se sa Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Sovjetik.

Pozicioni i mirë gjeografik i Shteteve të Bashkuara, i jep asaj qasje të drejtpërdrejtë dhe të papenguar në oqeanet Atlantik, Paqësor dhe Arktik. Ndaj në rast se Kina nuk është e kënaqur duke qenë një fuqi rajonale dhe synon të bëhet një superfuqi e vërtetë globale, asaj do t’i duhet të kapërcejë kufizimet e veta gjeopolitike.

Natyrisht, aftësitë bërthamore, hapësinore dhe kibernetike të Kinës, kanë që të gjitha një shtrirje globale. Kina po e modernizon dhe zgjeron forcën e saj bërthamore, si dhe platformat e lëshimit të këtyre armëve. Për më tepër, me afro 600 satelitë në orbitë – nga të cilët 229 janë satelitë të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit – Kina ka flotën e dytë më të madhe të satelitëve në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Aftësitë kibernetike kineze mund të bëjnë shumë dëme në çdo cep të botës. Dhe kapja kohët e fundit e disa balonave spiune mbi SHBA, duhet të cilësohet si një aftësi tjetër e fuqishme e Kinës me një shtrirje globale. Megjithatë, shtrirja gjeografike e këtyre teknologjive nuk mjafton për të ndikuar fuqishëm në zonat strategjike përtej Azisë.

Nga ana tjetër, Kina ka aktualisht vetëm një bazë jashtë shtetit, atë detare në Xhibuti me 400 marinarë kinezë. Ndërsa Marina e SHBA-së lundron çdo ditë në gjithë oqeanet e botës, marina kineze kryen vetëm herë pas here misione të diplomacisë detare përtej Indo-Paqësorit.

Kjo gjë mund të ndryshojë, sepse marina kineze po pajiset tani me aeroplanmbajtëse dhe anije të tjera të fuqishme. Thuhet se Pekini po synon të ndërtojë më shumë baza jashtë shtetit në Oqeanin Paqësor dhe Afrikë. Por duhet ende kohë që Kina të kthehet në një superfuqi të vërtetë me shtrirje ushtarake mbarëbotërore.

Për më tepër, ndikimi i madh i SHBA-së në vendet fqinje me Kinën, e ndërlikon shumë një skenar të tillë. Dhe këtu vijmë tek koncepti i tretë, hegjemonia rajonale. Hegjemonia rajonale, është dominimi i një shteti mbi shtetet e tjera në një rajon gjeografik, për sa i përket fuqisë ushtarake dhe ekonomike.

Shtetet e Bashkuara janë një hegjemon rajonal në hemisferën perëndimore, sepse asnjë shtet tjetër në atë rajon nuk është në gjendje të sfidojë dominimin e tij. Dominimi në rajonin e vet të origjinës i jep mundësi SHBA-së t’i kushtojnë më shumë burime rajoneve të tjera gjeografike.

Në të kundërt, Bashkimi Sovjetik nuk ishte asnjëherë një hegjemon rajonal, dhe nuk është as Kina sot. Dhe për të parandaluar hegjemoninë kineze në Azinë Lindore, Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të ruajnë një prani të madhe ushtarake në rajon.

Marrë me shkurtime
Shënim:Jo Inge Bekkevold, bashkëpunëtor mbi çështjet e Kinës në Institutin Norvegjez për Studime të Mbrojtjes dhe ish-diplomat norvegjez.


Shtuar 4.03.2023 10:59