EMRI/ Theu arrestin e shtëpisë dhe doli me armën gati për qitje, arrestohet 36-vjeçari në Durrës

Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi është kapur me armë zjarri.

Policia njofton se bëhet fjalë për Dritan Memollën, shtetas me rrezikshmëri të lartë në komunitet, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Policia i gjeti atij një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje.

Gjithashtu u proceduan 2 shtetas (babë e bir) që shoqëronin të arrestuarin, për moskallëzim të krimit.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Background”, sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe inteligjencës policore.

Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin.

36-vjeçari, me disa precedentë penal, u kap teksa lëvizte me këmbë, në shkelje të një mase sigurie “Arrest në shtëpi”.

Procedohen penalisht 2 shtetas (babë e bir) që shoqëronin të arrestuarin, për moskallëzim të krimit.

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me qytetarët, si dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Background”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri për komunitetin, që lëvizin të armatosur.

Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi D. M., 36 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë teksa lëvizte me këmbë, në lagjen nr.15, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje. Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestraun në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit N. K., 56 vjeç dhe K. K., 22 vjeç (babë e bir), lidhje shoqërore të 36-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta 2 shtetas shoqëronin shtetasin D. M., kur u kap nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 10.08.2023 10:13