75 vite shtet, sukseset e bujshme dhe sfidat e mëdha që e presin Izraelin

Nga Richard Haass “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Feja dhe mrekullitë shkojnë shpesh dorë për dore. Prandaj nuk duhet të jetë e habitshme që shteti hebre, që sapo kremtoi ditëlindjen e tij të 75-të, është një lloj mrekullie. Në një farë mënyre, vetë ekzistenca e Izraelit është e mrekullueshme.

Sepse shteti i porsalindur shmangu vetëm për pak kolapsin nga ushtritë shumë herë më të mëdha të fqinjëve të tij arabë, të cilat e pushtuan në majin e vitit 1948. Që nga ajo kohë, Izraeli është përballuar me shumë më tepër luftëra, së bashku me një mori sulmesh më të vogla.

Por historia kryesore është se Izraeli jo vetëm që ka mbijetuar, por edhe ka lulëzuar si shtet. Sot është një vend me afro 10 milionë banorë dhe një demokraci në një pjesë të botës të dominuar nga regjime autoritare.

Pavarësisht se nuk ka asnjë burim natyror, ekonomia e tij, me një sektor teknologjik të klasit botëror, po lulëzon. PBB-ja vjetore për frymë është rreth 55.000 dollarë, duke e vendosur atë në mesin e 20 vendeve më të mira në botë, përpara Kanadasë, Japonisë dhe pjesës më të madhe të Evropës.

Arritjet e jashtëzakonshme të Izraelit, janë një arsye pse shumë nga fqinjët arabë të Izraelit kanë pranuar ekzistencën e tij. Tani Izraeli ka një marrëveshje zyrtare për paqe me Egjiptin dhe Jordaninë, por edhe me Marokun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

Ai mban lidhje informale dhe në zgjerim e sipër me shtetet e tjera arabe, përfshirë Arabinë Saudite, sepse rajoni po i përshtatet pranisë më të reduktuar të SHBA-së, dhe Izraeli shihet si një partner i rëndësishëm në përpjekjet për t’u përballur me kërcënimet e paraqitura nga Irani.

Gjithsesi, e ardhmja e Izraelit mbetet e pasigurt. Së pari, ekzistojnë kërcënimet e jashtme të vazhdueshme. Këtu përfshihet Siria, e cila në mesin e luftës së saj civile u bë një strehë e sigurt për milicive të mbështetura nga Irani.

Por edhe Libanin, ku Hezbollahu ka krijuar në fakt një shtet brenda shtetit të mbështetur sërish nga Irani përtej kufirit verior të Izraelit, me më shumë se 100.000 raketa të drejtuara drejt jugut. Sa i përket vetë Iranit, Republika Islamike tani mund të prodhojë brenda disa javësh uranium të pasuruar mjaftueshëm për të ndërtuar disa bomba bërthamore, dhe kjo do të thotë se është pranë fitimit të aftësisë për të kërcënuar Izraelin me një sulm atomik.

Një problem serioz për Izraelin mbetet çështja palestineze ende e pazgjidhur. Kjo është kryesisht rezultat i Luftës Gjashtë Ditore të qershorit 1967, një konflikt që ndryshoi trajektoren e historisë së Izraelit. Aktualisht rreth 5 milionë palestinezë jetojnë në territoret e pushtuara nga Izraeli.

Negociatat për krijimin e një shteti të veçantë palestinez iu afruan në disa raste suksesit. Unë mendoj se refuzimi i palestinezëve për të pranuar atë që u ofrua (qoftë edhe e papërsosur) pasqyronte një dështim kolosal të udhëheqjes. Gjithsesi në pikën që jemi sot, është e qartë se perspektivat për një zgjidhje me dy shtete janë gjithnjë e më të largëta, duke pasur parasysh politikën izraelite dhe palestineze.

Kjo është padyshim diçka shumë negative për palestinezët, por po ashtu edhe për demokracinë dhe sigurinë e Izraelit. Vazhdimi i pushtimit do të kërkojë një prani të madhe dhe të përhershme ushtarake dhe do ta dobësojë pozitën e Izraelit në botë.

Një sfidë e tretë është e brendshme. Izraeli u themelua kryesisht nga refugjatë hebrenj të ardhur nga Evropa. Valët e mëvonshme të mëdha të emigrantëve erdhën nga Lindja e Mesme dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Izraeli i sotëm përbëhet nga këta emigrantë dhe pasardhësit e

tyre, së bashku me të krishterët dhe arabët myslimanë (shpeshherë të quajtur arabo-izraelitë ose izraelitë me origjinë arabe), dhe paraardhësit e tyre jetonin brenda kufijve modernë të Izraelit para dhe pas vitit 1948.

Pasoja është se Izraeli po i afrohet zgjedhjeve që janë themelore për identitetin e tij. Në rast se dëshiron të mbetet një shtet demokratik, ai nuk mund të sundojë përgjithmonë mbi 5 milionë palestinezë dhe t’u mohojë atyre shtetësinë dhe të drejtat që vijnë me të.

Por nëse dëshiron të mbetet një shtet hebre, nuk mund të sundojë mbi një vend që i shton 5 milionë palestinezë popullsisë ekzistuese prej 2 milionë arabo-izraelitësh. Diçka duhet të lëshojë. Pastaj ekziston një dinamikë shtesë: rritja e shpejtë e popullsisë ultra-ortodokse hebreje, e cila aktualisht është rreth 1.3 milionë, ose 14 për qind.

Pikëpamjet e tyre fetare ushtrojnë një ndikim të madh në pikëpamjet që ata kanë rreth mënyrës sesi Izraeli duhet të organizohet dhe drejtohet. Ndërsa shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për izraelitët, ka një përjashtim për ultra-ortodoksët, shumica e të cilëve zgjedhin të mos shërbejnë në radhët e tij.

Shumë prej tyre studiojnë dhe luten në vend që të punojnë apo të kontribuojnë në ekonomi. Nëpërmjet procesit politik, ata kërkojnë të krijojnë një shoqëri në të cilën interesat fetare, siç i perceptojnë ata, të kenë përparësi ndaj dëshirave të izraelitëve laikë. Tendencat demografike sugjerojnë se ata mund të kenë sukses.

Rezultati është se në moshën 75-vjeçare, Izraeli përballet me sfida që nuk janë më pak ekzistenciale sesa ato të paraqitura nga ushtritë pushtuese gjatë historisë së tij të hershme. Protestat e fundit mbi ndryshimet e propozuara, që do të rrisnin kontrollin politik mbi atë që ka qenë një gjyqësor shumë i pavarur, nënvizojnë faktin se Izraeli është një vend demokratik shumë i polarizuar.

Mjerisht, është shumë më e lehtë të përshkruash problemet, sesa të sugjerosh se si mund të zgjidhen ato. Dhe kjo ka krijuar një problem të ri. Izraeli e ka arritur pjesën më të madhe të asaj që ka sot me përpjekjet e veta. Por ai është ndihmuar në pjesën më të madhe të historisë, ekonomikisht, ushtarakisht dhe diplomatikisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nga filantropia e hebrenjve amerikanë.

Është gjithnjë e më e paqartë nëse një mbështetje e tillë do të jetë aq e madhe nëse Izraeli shihet si një vend jodemokratik dhe që po përqafon ekstremizmin fetar. E gjithë kjo do të shqetësojë miqtë e shumtë të Izraelit në mbarë botën, të cilët i admirojnë arritjet e këtij vendi dhe e duan atë. Më pak e sigurt është nëse kjo do t’i shqetësojë mjaftueshëm izraelitët, në mënyrë që ata të bëjnë disa zgjedhje të vështira, por të nevojshme.

Shënim:Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Më herët ka qenë Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003), i dërguari special i Presidentit George W.Bush në Irlandën e Veriut dhe Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit.

/albeu.com


Shtuar 23.05.2023 09:27