Lufta në Ukrainë, Porti strategjik i Mariupolit “nën bllokadë” nga forcat ruse

Porti strategjik i Mariupolit , në Ukrainën lindore, është “nën bllokadë” dhe po i nënshtrohet “sulmeve të pamëshirshme” nga forcat ruse, tha kryebashkiaku i qytetit sot, në ditën e dhjetë të pushtimit.

Përballë kësaj situate, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi mëngjesin e kësaj të shtune një armëpushim në qytet për të lejuar evakuimin e civilëve.

“Për 5 ditë, vendlindja jonë, familja jonë prej gjysmë milioni njerëzish, ka qenë nën sulm të pamëshirshëm”, shkroi kryebashkiaku i Mariupolit, Vadim Boitchenko në Telegram, duke bërë thirrje për rezistencë të vazhdueshme.

“Ne po kërkojmë zgjidhje për problemet humanitare dhe të gjitha mënyrat e mundshme për të nxjerrë Mariupolin nga bllokada”, thuhej më tej në postim ndërsa shton se prioriteti i tyre është të vendosin një armëpushim në mënyrë që të mund të rivendosin infrastrukturën jetike dhe të krijojnë një korridor humanitar për të mundësuar ushqim dhe ilaçe në qytet.

Në situatën plot tensione, Rusia njoftoi sot një armëpushim për të lejuar evakuimin e civilëve nga dy qytete në Ukrainën lindore, duke përfshirë portin strategjik të rrethuar të Mariupolit, pas konsultimeve midis përfaqësuesve nga Kievi dhe Moska.

Nga ora 07:00, pala ruse shpall një armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve nga Mariupol dhe Volnovakha, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia është ende i pushtuar

Kapja nga Moska e këtij qyteti me rreth 450 mijë banorë, që ndodhet në Detin Azov, do të ishte një pikë kthese në pushtimin e Ukrainës. Ai do të lejonte kryqëzimin midis forcave ruse që vijnë nga Krimea e aneksuar, të cilat tashmë kanë marrë portet kryesore të Berdianskut dhe Khersonit, dhe trupave separatiste dhe ruse në Donbass.

Ushtria ruse ka pushtuar termocentralin bërthamor të Zaporozhye në Ukrainën juglindore që nga e premtja, ku sulmet e saj me artileri, sipas ukrainasve, shkaktuan një zjarr, të cilin Moska mohon të jetë shkaku.

Ky sulm kundër termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili ka gjashtë reaktorë, tronditi ndërkombëtarët. Ai përbën “një kërcënim të madh për të gjithë Evropën dhe botën”, tha në reagim të premten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield./albeu.com

 

 


Shtuar 5.03.2022 11:06